DASH apelon tek shtetasit amerikanë për kujdes nga sulmet e mundshme terroriste në Kosovë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ambasada Amerikane në Kosovë përmes një njoftimi në faqen travel.state.gov, ka bërë thirrje për të gjithë shtetasit e saj, për kujdes të shtuar të lëvizjeve, për shkak të sulmeve potenciale nga grupe terroriste.

Në këtë njoftim të publikuar më 22 nëntor, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) këshillon qytetarët amerikanë që të kenë kujdes dhe t’i rishqyrtojnë vizitat në vende ku ka qarkullim më të madh të qytetarëve, si qendra tregtare, klube, restorante dhe zona të tjera për shkak të sulmeve potenciale nga grupe terroriste.

“Grupet terroriste vazhdojnë të komplotojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke synuar vendndodhje turistike, qendra transporti, tregje/qendër tregtare, objekte të qeverisjes vendore, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, institucione arsimore, aeroporte dhe të tjera hapësira publike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, apelohet tek shtetasit amerikanë që të kenë kujdes dhe t’i rishqyrtojnë udhëtimet për në Veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, për shkak të tensioneve dhe potencialit për trazira civile në atë pjesë.

Në atë njoftim janë publikuar edhe ndalesat e mundshme lidhur me COVID-19. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë