DARDAN HYSENI DËNOHET ME TRI VITE BURGIM DHE 500 EURO GJOBË PËR VRASJE NË TENTATIVË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj , të premtën, i akuzuari për veprat penale që  “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi,kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Dardan Hyseni  pas pranimit të fajësisë u shpall fajtor dhe iu shqiptua dënim unik në kohëzgjatje prej tri vitesh burgim efektiv si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro. Gjithashtu me këtë aktgjykim u vendos që revolja e konfiskuar e tipit “TT-33” të kalibrit 7.62 mm, të sekuestrohet në mënyrë të përhershme e po ashtu me aktgjykimin e shpallur nga gjyqtari i vetëm në këtë fazë të procedurës Agim Maliqi , u vendos që tani të dënuarit t’i  ndërprehet  masa e paraburgimit, ku ai gjendej që nga 3 marsi 2016.

I akuzuari Dardan Hyseni menjëherë pas leximit të akuzës nga ana e prokurores së shtetit Florije Salihu – Shamolli pranoi fajësinë për veprat penale që i ngarkoheshin me akuzë,  dhe këtë pranim ai e bëri që në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 prill 2016, ku deklaroi se për kryerjen e kësaj vepre penale është penduar thellë dhe gjithashtu kërkoi falje të dëmtuarit në këtë rast, Driton Idrizi i cili gjatë këtij shqyrtimi deklaroi se ende nuk  kanë arritur pajtim me të akuzuarin dhe familjen e tij, e poashtu tha që i bashkangjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit dhe kërkoi nga gjykata që t’i shqiptoi dënim të paraparë me ligj.

Ndërkaq ,prokurorja e shtetit Florije Shamolli sa i përket evidencës penale të të akuzuarit Hyseni deklaroi se i njejti ka shumë raporte policore për vepra të ndryshme penale, por që tha se nuk ka arritur të sigurojë ndonjë aktgjykim të formës së prerë për këto vepra të kryera nga ai.

Sipas pikës 1 të aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 29 mars 2016 Dardan Hyseni akuzohet për veprën penale “vrasje në tentative” , sepse më 6 mars 2016, rreth orës 04:30, në Ferizaj me dashje ka tentuar që t’a privojë nga jeta të dëmtuarin Driton Idrizi, në atë mënyrë që pasi që të njejtit janë takuar , i pandehuri ka kërkuar nga i dëmtuari që të shkojnë të pinë nga një kafe dhe të bisedojnë, në një restaurant në Ferizaj, ku i dëmtuari Idrizi është nisur me veturën e tij për të shkuar në restaurant e ku pas tij me veturën e tij i pandehuri e përcjell , ndërsa me t’u kthyer në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani” në Ferizaj, i pandehuri e tejkalon me veturë vazhdon disa metra më larg dhe afër nënkalimit ndal veturën, në mes të rrugës, del nga vetura, nxjerr revolen e tipit “TT-33”, të kalibrit 7.62 mm, e drejton në drejtim të të dëmtuarit, i cili ishte duke lëvizur me veturë dhe me të vërejtur të pandehurin me revole të drejtuar në drejtim të tij, i dëmtuari në pamundësi që të kthehet mbrapa, ulë kokën dhe zhvillon shpejtësi të madhe me qëllim që të largohet nga aty, mirëpo i pandehuri ka shtënë njëherë në drejtim të tij duke e goditur xhamin e përparmë të anës së majtë të veturës së të dëmtuarit.

Ndërsa pika 2 e akuzës e ngarkon të pandehurin me veprën penale “mbajtja në pronësi,kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sepse nga data e pacaktuar deri më 3 mars 2016, në fshatin Nerodime e Poshtme, në Ferizaj ka mbajtur në posedim të pa autorizuar revolen e tipit “TT-33”, të kalibrit 7.62 m, si dhe një karikator me katër fishekë, me ç’rast edhe i është  sekuestruar nga policia.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë