Çështja gjyqësore e Pjetër Shalës i transferohet trupit gjykues për gjykim

Raporton: Medina KADRIU

Me anë të vendimit të marrë nga gjyqtari paraprak, Nicolas Guillou, që mban datën 21 shtator, çështja gjyqësore në rastin e Pjetër Shalës i është transferuar trupit gjykues për gjykim.

Në këtë vendim, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm procedural në mënyrë që dosjet e lëndës KSC-BC-2020-04, të konsiderohen të plota dhe për rrjedhojë, të gatshme për t’ia transmetuar trupit gjykues I, në përputhje me Rregullën 98 të Rregullores, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në veçanti, gjyqtari i procedurës paraprake ka përgatitur një dokument dorëzimi, i cili përmban informacionin e përshkruar në rregullin 98 (1) (e) të Rregullores, në dobi të Trupit Gjykues dhe të palëve dhe mbrojtësit të viktimave. Gjyqtari i procedurës paraprake saktëson se për shkak të informacionit jopublik që përmban dokumenti i dorëzimit, ai nuk mund të bëhet publik në këtë fazë. Këtij vendimi i bashkëngjitet dokumenti i dorëzimit”, thuhet tutje.

Ndryshe, trupi gjykues që ka përsipër gjykimin e këtij rasti do të përbëhet nga gjyqtarët si në vijim: Roland Dekkers, Mappie Veldt-Foglia, Gilbert Bitti dhe Vladimir Mikula, i cili do të jetë gjyqtar rezervë.

Ky trup gjykues ka në gjykim edhe çështjen ndaj Salih Mustafës, e cila u shpall e përfunduar më 15 shtator dhe trupi gjykues u tërhoq për të kuvenduar për vendimin.

Vendimin e plotë të gjyqtarit paraprak mund ta gjeni këtu: https://repository.scp-ks.org/details.php?doc_id=091ec6e980d291d9&doc_type=stl_filing&lang=eng

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë