Caktohet të bëhet ekspertizë financiare në rastin ku paditësi po pretendon që me rastin e aksidentit të trafikut ka pësuar lëndime të rënda trupore

20201120_112751
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Nëntor 20, 2020

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka caktuar të bëhet ekspertizë nga lëmi financiar, në rastin ku paditësi Jashar Mavraj po kërkon nga kompania e sigurimeve “Siguria”, kompensim të dëmit material dhe jomaterial pas aksidentit të trafikut që kishte ndodhur në gusht të vitit 2018.

Gjykatësi Migjen Kastrati e ka aprovuar propozimin e përfaqësuese së paditësit, avokates Venera Gashi, për nxjerrën e provës me ekspertizë financiare, të bërë me parashtresë të veçantë para seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatja Venera Gashi, fillimisht ka thënë, se si palë paditëse mbesin pranë deklarimeve nga seancat e kaluara, duke shtuar se e kanë pranuar ekspertizën e punës për të cilën siç tha ajo nuk kanë asnjë vërejtje.

“Gjersa sa i përket propozimit të dhënë me parashtresë nga e paditura për nxjerrjen e ekspertizës së re nga lëmi i ortopedisë, e kundërshtojmë, me arsyetimin se mendojmë se e paditura ka mund të kërkoj plotësimin e ekspertizës tashme të bërë, të jap vërejtje mbi të njëjtën, dhe të kërkoj sqarime shtesë nga ana e ekspertit paraprak. Për me tepër ekspertin e propozuar nga pala e paditur nuk e njohim dhe kemi dyshimet tona që i njëjti mund të jetë i ndikuar nga pala e paditur. Por, nëse është e nevojshme të nxirret një ekspertizë e re në këtë fushë, atëherë emri i ekspertit të caktohet nga ana e gjykatës”, ka thënë avokatja Gashi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Labinot Buzuku fillimisht ka thënë se për ta si palë e paditur nuk është kontestuese baza juridike e kërkesëpadisë, pasi siç tha ai, si palë e kanë pranuar ekspertizën e komunikacionit të bërë për rastin.

“Ndërsa sa i përket ekspertizës mjekësore nga lëmi ortopedisë dhe psikiatrisë, mbesim pranë parashtresës me shkrim, me propozimin që të bëhet nxjerrja e re e provës nga lëmi i ortopedisë, me arsyetimin si në parashtresë, pasi që konsiderojmë se, zvogëlimi i aktivitetit jetësor të paditësit nuk është sqaruar në detaje, si dhe nuk është bindës, për të paditurën.”, ka thënë përfaqësuesi Buzuku.

Tutje, përfaqësuesi Buzuku ka deklaruar, se përveç që kundërshtojnë mendimin e ekspertit të ortopedisë, po ashtu e kundërshtojnë edhe ekspertizën e mjekësisë së punës të hartuar nga Kujtim Zajmi.

“Ndërsa, sa i përket propozimit të palës paditëse për nxjerrjen e ekspertizës financiare, tani e kundërshtojmë si të parakohshme pasi që konsiderojmë se ende nuk është vërtetuar gjendja faktike sa i përket natyrës së lëndimeve lidhur me paditësin”, ka thënë ai.

Gjykatësi Migjen Kastrati, pas deklarimeve të palëve ndërgjyqëse, ka thënë se aprovohet propozimi i palës paditëse për nxjerrjen e provave me ekspertizë financiare, e ku emri i ekspertit dhe detyrat e të njëjti do të caktohen me vendim të veçantë.

Ndërkaq seanca e radhës, sipas gjykatësit Kastrati do të caktohet pas arritjes së ekspertizës financiare, e siç tha ai palët do të njoftohen me kohë për mbajtjen e së njëjtës.

Ndryshe, në paditë e ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, më 24  maj 2019, thuhet se më 26 gusht 2018, në rrugën e fshatit Orroberdë, në komunën e Istogut, ka ndodhur aksident komunikacioni, me ç’rast paditësi Jashar Mavraj si pasagjerë i veturës ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Në padi thuhet se, paditësi ka parashtruar kërkesë për zhdëmtim tek e paditura me 15 tetor 2018, por asnjëherë deri me tani nuk ka marrë ndonjë ofertë për zhdëmtim.

Andaj, mbi këtë bazë, paditësi Jashar Mavraj ka kërkuar nga ana e gjykatës që të detyrohet e paditura kompania e sigurimeve “Siguria”, që atij t’i kompenson dëmet materiale dhe jomateriale, që do të precizohen pas dhënies së mendimit të ekspertëve përkatës. /BetimipërDrejtësi