Caktohet seanca ku do të vlerësohet kërkesa e PSRK-së për ndalimin e pensioneve për “veteranët mashtrues”

Pallati i Drejtesise (3)
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Janar 9, 2019

Prishtinë – Pasi aktakuza e rastit të “Veteranëve”, ishte dashur që të përmirësohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Gjykata Themelore në Prishtinë, përfundimisht ka vendosur që më 28 janar të këtij viti, të vlerësojë çështjen e kërkesës së PSRK-së për masë të përkohshme.

PSRK-ja, në aktakuzën në të cilën për akuza për korrupsion ka akuzuar Agim Çekun, Rrustem Berishën, Shkumbin Demalijajn, Nuredin Lushtakun dhe shtatë persona të tjerë, i kishte propozuar kësaj gjykate që të caktojë masë të përkohshme për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtar të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se gjykatësja e rastit Nushe Kuka-Mekaj, ka caktuar më 28 janar 2019 seancën në të cilën do të vlerësohet kërkesa për masën e përkohshme, ndërsa po atë ditë do të vlerësohet se a do të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve.

“Seanca është për datën 28 janar, në të cilën do të vlerësohet kërkesa për masën të përkohshme, shqyrtimi fillestar sipas rrjedhës së procedurës do të vlerësohet nga kryetarja e trupit gjykues nëse do të mbahet për të njëjtën ditë apo jo”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja Gashi.

PSRK-ja aktakuzën të cilën e kishte hetuar prokurori special Elez Blakaj, që kishte ofruar dorëheqjen nga pozita e prokurorit, e kishte dorëzuar në gjykatë 14 shtator 2018, por e nënshkruar nga prokurori Afrim Shefkiu.

E njëjta aktakuzë ishte kthyer në plotësim dhe përmirësim nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, pasi sipas saj, kjo aktakuzë nuk ishte formuluar sipas ligjit.

Pasi ishte kthyer prapa, PSRK-së i ishin dhënë 30 ditë që të bëjë përmirësimin e kësaj aktakuze, por kjo gjë nuk kishte arritur të ndodhte, pasi PSRK-ja kishte kërkuar nga gjykata edhe 30 ditë të tjera afat, për të bërë përmirësimin e aktakuzës, sipas vërejtjeve të gjykatës.

PSRK-ja, këtë aktakuzë e kishte dorëzuar në gjykatë për herën e dytë, në versionin e përmirësuar më 7 dhjetor 2018.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së prokurorit tani të dorëhequr, Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.