Caktohet paraburgimi ndaj të dyshuarve për vjedhje të rëndë dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre

Gjykata Podujeve, 40
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Gusht 5, 2019

Podujevë – Një muaj paraburgim ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ndaj të dyshuarve për dy vepra penale “vjedhje e rëndë” dhe “ndihmë në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë”, H.H dhe B.M.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të hënën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, e ka paraqitur prokurorja Hava Krasniqi.

“Pas shqyrtimit dhe analizimit të gjendjes faktike dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë, konsideroj se momentalisht me masa më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit, sipas nenit 173 Kodi i Procedurës Penale të Kosovës do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e tyre në këtë procedurë penale dhe zbatimin e suksesshëm të saj dhe kësisoj masën e paraburgimit e konsideroj të arsyeshme, të domosdoshme dhe efikase dhe njëkohësisht kërkesë të bazuar mirë në prova materiale dhe në deklarimin e të dëmtuarit”, ka deklaruar prokurorja Krasniqi.

Ajo ka shtuar se për më tepër, kjo kërkesë për masën e paraburgimit është në pajtueshmëri me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Duke u bazuar në këto rrethana, prokurorja Krasniqi, ka propozuar që kjo masë të caktohet, me arsyetimin se nëse ata gjenden në liri, mund ta pengojnë rrjedhën e procedurës normale që duhet të zhvillohet ndaj tyre.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit H.H, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Xhevat Rama, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar është mjaftë e rendë dhe e pabazë nga arsyeja se klienti i tij është penduar për veprimin e bërë dhe se i njëjti është zotuar se nuk do të kryej më vepra penale.

Ai ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, si e pabazuar.

Sipas tij, në rrethanat më të pafavorshme të caktohet një masë tjetër për sigurimin e të pandehurit në gjykatë, duke shtuar se me caktimin e masës së lajmërimit në Stacionin e Policisë do të arrihet efekti i plotë.

Gjithashtu, ai ka thënë se klienti i tij është zotuar se do të paraqitet në çdo ftesë të gjykatës dhe nuk do të largohet nga vendi.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari H.H, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Kurse, edhe mbrojtësi i të dyshuarit B.M, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Muharrem Sadiku, ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

“Mbrojtja e kundërshton masën e paraburgimit dhe në rastin konkret ndaj të mbrojturit tim të shqiptohet një masë alternative më e butë, dhe kundërshton masën përfundimtare të kërkesës së Prokurorisë, ku thuhet se është vërtetuar saktë që ka ndodhur vjedhja dhe njëherit ekziston rreziku i arratisjes, ku meqë dihet identiteti i të dyshuarit Berat dhe i njëjti me rastin e ftesës së gjykatës, policisë dhe prokurorisë do të lajmërohet dhe nuk ka rrezik për arratisjen e tij”, ka thënë ai.

Deklaratën e avokatit Sadiku, e ka përkrahur edhe i dyshuari B.M.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Minir Hoti, ka caktuar për dy të dyshuarit masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 4 gushti 2019 dhe do të zgjasë deri më 4 shator të këtij viti.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të 4 gushtit 2019, H.H dhe B.M dyshohen se më 3 gusht 2019, në rrugën “Sejdi Obranqa”, në fshatin Obranqë, Komuna e Podujevës, në orë të papërcaktuar, H.H, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë, kishte depërtuar me forcë në objektin e mbyllur shtëpinë/garazhin e Hajrullah Berisha, tani i dëmtuar, nga aty ka vjedhur motosharrë për prerjen e druve të tipit “STIHL 025” dhe mjetin  e punës “Trapan”, me kutinë e tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, kur është ndalur nga njësia policore operative më 04 gusht 2019, rreth orës 03:20, në rrugën “Ibrahim Demolli” në bagazhin e automjetit të tipit “Golf 7”, të cilën e ka drejtuar i pandehuri B.M, ku ka qenë edhe i pandehuri H.H dhe i mituri E.H.

Në këtë kërkesë thuhet se i pandehuri B.M dhe i mituri EH, ka ndihmuar të pandehurin H.H në kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, në atë mënyrë që ka vënë në dispozicion automjetin e tipit “Golf 7”, të cilën e ka drejtuar si dhe bashkë më të miturin E.H dhe të pandehurin H.H, i ka ngarkuar gjësendet e vjedhura, e me qëllim që t’i dërgojnë në një lokacion për t’i fshehur, pas ndalesës së bërë nga Policia të njëjtat janë konfiskuar.

Me këtë, dyshohet se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1 lidhur me nenin 33  dhe veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë” të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi