Caktohet paraburgimi ndaj të dyshuarit për dy raste të vjedhjes në Pejë

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Gusht 23, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të premten, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit për vjedhje, D.B.

Sipas aktvendimit, i dyshuari do të qëndrojë nën këtë masë nga 22 gushti deri më 21 shtator 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën dëgjimore të mbajtur të premten, prokurori Astrit Gashi ka kërkuar nga gjykata që të dyshuarit D.B, t’i caktohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se mund të arratiset duke marrë parasysh lartësinë e dënimit.

“Duke marrë parasysh se i njëjti është recidivist i shumë veprave nga viti 2014, i më shumë se 121 veprave, si sulm, posedim i narkotikëve, vjedhje etj, e gjitha këto e japin dyshimin se mund të përsëriten veprat penale”, ka shtuar Gashi.

Ai ka theksuar se duke u nisur nga këto rrethana, nuk ka mundur të propozonte ndonjë masë tjetër, pos asaj të paraburgimit.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të dyshuarit, e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatja Zana Radoniqi-Krasniqi, ka deklaruar që e kundërshton propozimin për caktimin e paraburgimit, pasi që një masë e tillë, sipas saj, mund t’ia keqësojë gjendjen të mbrojturit të saj, duke u nisur që ai është edhe nën ndikimin e narkotikëve dhe se duhet të ketë një trajtim të veçantë rehabilitues.

“Për momentin nuk mund të deklarohem për ekzistimin e dyshimit të bazuar, pasi që më mungojnë shkresat tjera të lëndës, përveç kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, dhe kërkoj nga prokuroria dhe gjykata që këto shkresa të më sigurohen në afat sa më të shkurt kohor”, ka shtuar avokatja Radoniqi.

I dyshuari D.B, ka thënë që e mbështet deklaratën e avokates së tij, dhe se është e vërtetë që e ka thyer xhamin në objektin “Urata”, është futur brenda, por asgjë nuk ka vjedhur, duke shtuar se gjithashtu edhe në furrën e bukës i ka marrë disa pije.

“E kom thy xhomin, jom hi brenda, më ka pikë gjaki nga dora e meniherë jom kthy prapa pa marrë kurgjo, e në furrë jom hi edhe i kom marrë 5-6 soka”, ka thënë i dyshuari.

Ai ka shprehur keqardhje, duke kërkuar caktimin e një mase tjetër dhe jo atë të paraburgimit.

“Jam në gjendje që çfarëdo mase të gjykatës t’i përmbahem vetëm të mos më caktohet burgu, se arsyeja osht se po du me ndejt ngat grus se e njëjta është shtatzënë e nuk po du me u trazu. Lirisht caktomi 1-2 vjet arrest shtëpiak, edhe nën mbikëqyrjen e policisë, veç në burg mos më qoni se s’po du me ndejt ngat sej”, ka thënë ai.

Lidhur me këto deklarime, prokurori Gashi ka thënë që nuk janë të sinqerta të thënat e të pandehurit, dhe që nëse të njëjtit nuk i caktohet masa e paraburgimit, do t’i mundësohet që të kryhen prapë vepra të tjera penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Pejës, më 22 gusht 2019, ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit D.B, nën dyshimin se ai më 22 gusht, në Pejë e ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Sipas kërkesës, i pandehuri me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, ia merr pasurinë e personit tjetër, duke thyer dhe duke kaluar me forcë  në lokalin afarist “Art Motion- Z Mobile”, që gjendet në objektin “Urata”, me ç’ rast duke depërtuar në objekt ka vjedhur një arkë me të holla në shumë prej 12 euro.

Po ashtu, thuhet se në ditën e njëjtë kritike, ai dyshohet të ketë kryer edhe një tjetër vepër penale të vjedhjes, dhe atë në lokalin afarist, përkatësisht në furrën e bukës “Arena”, i cili ishte i hapur, dhe duke shfrytëzuar mungesën e punëtorëve në lokal, i njëjti e kishte vjedhur një arkë fiskale, 10 pije “Golden Eagle” dhe “Coca-Cola”, për çka i kishte shkaktuar dëme të dëmtuarit B.SH. /BetimipërDrejtësi