Caktohet paraburgim ndaj të akuzuarit që mohoi se kishte sulmuar policen në Janjevë

fotoja
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Qershor 27, 2019

Lipjan – I akuzuari për sulm ndaj personit zyrtar, Çlirim Gashi, e ka mohuar fajësinë, në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Në të njëjtën ditë, është mbajtur edhe seanca dëgjimore, me ç’rast atij i është caktuar edhe masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 20 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e ka bërë prokuroja e rastit, Arbresha Shala, e cila ka thënë se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase, sepse i akuzuari siç ka thënë ajo, ka një të kaluar kriminale dhe se ai po të gjendet në liri, ekziston rreziku i ikjes dhe zvarritjes së procedurës, apo që ai mund ta përsëris veprën penale, ose mund të ndikojë në dëshmitar.

I akuzuari Gashi, në këtë seancë, ka thënë se e kundërshton kërkesën e prokurores për caktimin e masës së paraburgimit, sepse sipas tij, veprën për të cilën akuzohet nuk e ka kryer, duke mohuar fajësinë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Naser Morina, ka thënë se e kundërshton në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, për arsye se sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e një mase të tillë.

Gjykatësi kësaj çështje, Avdirrahman Gashi, ka thënë se pasi që seanca dëgjimore është mbajtur së bashku me shqyrtimin fillestar, me aktvendim, seancën e  shqyrtimit të dytë për këtë çështje e ka caktuar më 6 gusht 2019, në ora 11:00, ku të akuzuarin e ka udhëzuar që ka të drejtë të paraqes kundërshtimet e provave në aktakuzë si dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Çlirim Gashi, akuzohet se më 26 maj 2019, rreth orës 23:00, në fshatin Janjevë të Lipjanit, derisa policja Danjella Millatovq, ishte duke u kthyer nga puna në shtëpi me bashkëshortin e saj, i cili ka qenë duke e drejtuar automjetin, i akuzuari e ka ndalur automjetin, duke ia bllokuar kalimin.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara, e cila ka qenë në uniformë ka dal nga vetura dhe ka kërkuar nga i pandehuri që ta lirojë rrugën, por ai siç thuhet, ka filluar ta ofendojë me zë të lartë, më pas e ka liruar rrugën dhe është kthyer të lëviz vrullshëm pas veturës së të dëmtuarës.

Sipas aktakuzës, ai i ka tejkaluar dhe ka nisur veturën drejt tyre, por nuk e ka goditur, atëherë i pandehuri Çlirim Gashi, në gjendje të dehur i është drejtuar të dëmtuarës me fjalët “do të vras”.

E me këto veprime, ai akuzohet se e ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi