Caktohet paneli i Gjykatës së Apelit që do të vendosë lidhur me ankesën ndaj vendimit për mocionet paraprake të mbrojtjes së Gucatit e Haradinaj

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 8, 2021

Prishtinë – Pasi gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj për të parashtruar ankesë ndaj vendimit për mocionet paraprake të mbrojtjes është caktuar paneli i Gjykatës së Apelit që do ta shqyrtojë të njëjtën.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar në panel gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Kai Ambos.

Ndryshe, në vendimin e gjyqtarit paraprak thuhej se mbrojtja e Gucatit ka kërkuar që të apelojë vendimin për çështjet vijuese, që u referohen si pesë çështjet.

Pika e parë është se  nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar kur ka gjetur se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e bashkëkryerësve, duke pasur parasysh kërkesën për të dhënë në aktakuzë sa më shumë detaje që është e mundur në lidhje me identitetet e çdo bashkëkryerësi të pretenduar.

Pika e dytë është nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar kur ka gjetur se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e bashkëpunëtorëve, duke pasur parasysh kërkesën për të dhënë në aktakuzë sa më shumë detaje sa të jetë e mundur në lidhje me identitetin e çdo bashkëpunëtori të pretenduar.

Tutje, mbrojtja pretendon edhe pikën e tretë, e cila thotë “Nëse gjykatësi paraprak gaboi  në gjetjen se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e personave të ndihmuar ose të nxitur, duke pasur parasysh kërkesën për të siguruar në aktakuzë sa më shumë detaje të jetë e mundur në lidhje me identitetin e ndonjë personi të ndihmuar ose të nxitur”.

Ndërkaq, pika e katërt thotë “Nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi në gjetjen se nuk ishte një defekt në aktakuzën e konfirmuar për të përdorur formulën “dhe – ose” për t’iu referuar në mënyrë alternative të akuzuarve, bashkëkryesve pa emër ose bashkëpunëtorëve pa emër, kur i atribuohet veprimeve të pretenduara të ndërmarra, duke pasur parasysh kërkesën që nuk duhet të përdoren formulime që krijojnë paqartësi në lidhje me pretendimin e përgjegjësisë së të akuzuarit”.

Kurse, pika e fundit, ajo e pesta thotë “Nëse aktakuza e konfirmuar është me defekte në atë që pretendon veprime “të panjohura” të cilat pretendohet “mund” të kenë ndodhur afër “të njohurave”  veprime të cilat pretendohet se kanë ndodhur, duke pasur parasysh kërkesën që deklaratat e hapura në lidhje me faktet që mbështesin akuzat nuk janë lejohen, përveç nëse ato janë jashtëzakonisht të nevojshme, gjë që nuk është pohuar”.

Në vendim thuhej se gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se pesë çështjet do të ndikonin ndjeshëm në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave dhe se nga zgjidhja e menjëhershme nga Gjykata e Apelit në lidhje me to mund të përparojnë materialisht procedurat.

Në vendim thuhej se mbrojtja e Nasim Haradinaj bashkohet me parashtresat e lartpërmendura dhe se gjyqtari  i procedurës paraprake konstaton se pesë çështjet janë të apelueshme.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim./BetimipërDrejtësi