Caktohet konferenca radhës në rastin ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, ndryshon data për kalimin e dosjes tek trupi gjykues

Specialja-620x275
Author

Raporton: Medina KADRIU

Qershor 10, 2021

Prishtinë –  Gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou ka ndryshuar datën paraprake për kalimin e dosjes tek trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku thuhet se gjyqtari Guilloi ka caktuar 2 korrikun si datë paraprake për kalimin e dosjes te trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykatësi Guillou ka caktuar edhe datën e konferencës së gjashtë mbi ecurinë e çështjes në këtë rast. Kjo konferencë pritet të mbahet më 25 qershor, në orën 11:00.

Gjithashtu, në njoftimin e gjykatës thuhet se është zgjatur për tetë ditë afati për dorëzimin e dosjes paraprake nga ana e mbrojtjes, përkatësisht deri më 22 korrik 2021.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë zbuluar pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

“Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim./BetimipërDrejtësi