Caktohet ekspertizë për vlerësimin e paluajtshmërisë në kontestin ku e paditur është Komuna e Mitrovicës

Nora Kelmendi- Raporti per Web- Rasti Rrusem Suhodolli  (civile) - 19 prill 2018
Author

Raporton : Nora KELMENDI

Prill 19, 2018

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit, Rrustem Suhodolli, avokatit Safet Voca, që të caktohet eksperti për vlerësimin e paluajtshmërisë, në kontestin për kompensim të paluajtshmërisë, ku e paditur është Komuna e Mitrovicës.

Propozimi në fjalë, nuk u kundërshtua nga ana e përfaqësuesit të palës së paditur, Komunës së Mitrovicës, avokatit publik komunal, Avni Muzliukaj,  i cili u shpreh se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e palës paditëse, duke theksuar se i mbetet gjykatës që vendimin përfundimtar ta marrë në bazë të provave që disponon dhe legjislacionit në fuqi.

Nga ana e gjykatësit Faton Ademi, u caktua eksperti Hajrullah Muli, që të përpiloj ekspertizën për vlerësimin e paluajtshmërisë të cilën pretendon se posedon paditësi Rrustem Suhodolli.

Ndryshe, paditësi Rrustem Suhodolli, përmes padisë kërkon nga gjykata të aprovojë kërkesëpadinë e paditësit si të bazuar dhe të obligojë të paditurën, Komunën e Mitrovicës, që paditësit t’ia kompensojë paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 22 m2, për të cilën paditësi pretendon se është pronar.

Në padi thuhet se vite më parë, kur Komuna e Mitrovicës ka kryer rregullimin e qendrës së qytetit, i ka kërkuar babait të paditësit, Enver Suhodollit, që Komunës t’ia japë në shfrytëzim këtë paluajtshmëri së bashku me lokalin afarist dy katësh, me premtimin se do t’i paguajë shumën e caktuar të të hollave si kundërvlerë për marrjen në shfrytëzim të kësaj paluajtshmërie.

Në vazhdim të padisë, thuhet se pavarësisht insistimit të paditësit dhe prindit të tij, Komuna e Mitrovicës nuk e ka përmbushur marrëveshjen për kompensimin me rastin e shfrytëzimit të paluajtshmërisë që pretendohet se i takon paditësit Rrustem Suhodolli.