Caktohet ekspertizë ortopedike dhe psikiatrike në rastin për kompensim dëmi nga aksidenti në trafik

Nora Kelmendi- Rasti Vehbi Beqiri (civile)- 19 prill 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Prill 19, 2018

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, ka aprovuar kërkesën e përfaqësuesit të paditësit, Vehbi Beqiri, avokatit Bashkim Mehana, që të caktohet eksperti i ortopedisë dhe ai i psikiatrisë, në kontestin për  kompensim dëmi me rastin e aksidentit në trafik.

Lidhur me këtë, avokati Mehana shtoi se qëllimi i caktimit të ekspertëve nga lëmi i ortopedisë dhe psikiatrisë, është që sipas tij, të vërtetohet dhe konstatohet lloji i lëndimeve që i ka pësuar paditësi në aksidentin e datës 19 nëntor 2013.

Ky propozim, nuk u kundërshtua nga ana e përfaqësuesit të palës së paditur, Kompanisë së Sigurimeve “Sigal” Kujtim Pula, i cili u shpreh se konsideron se lëndimet trupore të paditësit me rastin e aksidentit, janë të natyrës së lehtë trupore dhe sipas tij duhet të merret parasysh fakti se edhe paditësi ka qenë përgjegjës e që kjo sipas tij është vërtetuar nga super ekspertiza e komunikacionit.

Pas aprovimit të propozimit të palës paditëse, gjykatësi Naim Meholli, seancën e radhës e caktoi më 30 maj 2018 nga ora 13:30, me ç’rast pritet të prezantojnë ekspertët Avni Xhafa, ortoped-traumatogol dhe Shpend Haxhibeqiri, psikiatër.

Ndryshe, sipas padisë së ngritur më 30 qershor 2015, paditësi Vehbi Beqiri, ka kërkuar nga pala e paditur, kompensimin e dëmit të shkaktuar në aksident të trafikut, të pësuar më 19 nëntor 2013, në Mitrovicë, me ç’rast vlera e dëmit e përshkruar në padi arrin shumën 1.200 euro.

Sipas kësaj padie, paditësi me rastin e lëndimit të pësuar, i është nënshtruar mjekimit me ç’rast ka pësuar lëndime fizike dhe psikike.

Në padi thuhet se deri te aksidenti ka ardhur kur Bujar Mustafa duke vozitur automjetin “Audi A4”, vetura e të cilit ka qenë e siguruar në kompaninë “Sigal”, duke lëvizur me shpejtësi me tepër se dyfishi i lejuar në atë zonë, me pjesën e përparme të automjetit ka goditur veturën e paditësit “Audi A4” me ç’rast ka shkaktuar dëmtime të tërësishme në automjet.