Caktohet ekspertizë në rastin ku “Ekoinvest” po kërkon anulimin e vendimit të OSHP-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të enjten, ka caktuar ekspertizë të prokurimit në rastin ku paditësi “Ekoinvest” po kërkon anulimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Propozimin për caktimin e kësaj ekspertize e ka bërë përfaqësuesi i paditësit “Ekoinvest”, avokati Visar Vehapi dhe më pas është aprovuar nga gjykatësja e çështjes, Arjeta Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Meqenëse grupi i ekspertëve nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë thënë se duhet të angazhohen së paku katër ekspertë, duke përfshirë edhe një ekspert të prokurimit, i propozojmë gjykatës të caktojë një ekspertizë të pavarur nga lista e ekspertëve, me vëllimin e detyrave të përshkruar si në parashtresat e dorëzuara”, deklaroi avokati Vehapi.

Sipas tij, mbi bazën e të gjeturave të ekspertizës së prokurimit, grupi i ekspertëve nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, t’i përmbushë detyrat që i ka caktuar gjykata duke u mbështetur edhe në ekspertizën e prokurimit.

Ky propozim i avokatit Vehapi u kundërshtua nga përfaqësuesja e palës së paditur OSHP, Vlera Paraduzi, me arsyetimin se është i panevojshëm.

“Ne e kundërshtojmë një propozim të tillë, pasi që në vendimin e kontestuar të OSHP-së janë përfshirë mentorët profesional të ekspertit teknik me të cilat janë sqaruar pretendimet e këtu paditësit”, tha Paraduzi.

Tutje, Paraduzi shtoi se tenderi ka qenë shumë i komplikuar dhe volumi i lëndës ka qenë i madh, andaj është vendosur që devijimet që janë konstatuar për secilin nga operatorët ekonomik të konsideroheshin të vogla.

Në seancën e sotme ishte prezente edhe përfaqësuesja e palës me interes juridik KEK, Shkurije Miftari, e cila lidhur me propozimin e palës paditëse tha se e mbështet deklaratën e të paditurës OSHP dhe sipas saj caktimi i  ekspertizës është i panevojshëm.

Gjykatësja Sadiku deklaroi se seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 4 nëntor 2016, paditësi N.T.Sh. “Ekoinvest” kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, anulimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me pretendimin e i njëjti ishte nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Duke kërkuar që përpos anulimit të vendimit, paditëses t’i kompensohet shuma prej 3 milionë e 352 mijë e 588 euro e 5 centë, të humbura si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të prokurimit.

Ndërsa në vendimin e datës 5 tetor 2016, Organi Shqyrtues i Prokurimit, kishte refuzuar ankesën e tani paditëses si të pabazuar. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë