Caktohet ekspertizë gjeodezike në rastin ku paditësit po kërkojnë 124 mijë euro kompensim për shpronësimin e tokës

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti– Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka caktuar ekspertizë gjeodezike në rastin ku paditësit A.Sh dhe S.Sh, po kërkojnë nga e paditura Komuna e Vitisë, 124 mijë euro kompensim për paluajtshmërinë të cilën e kishte shpronësuar në vitin 1983.

Propozimin për caktimin e ekspertizës gjeodezike e bëri përfaqësuesja e paditësve, avokatja Teuta Gashi, ndërsa e aprovoi gjykatësi Arben Xheladini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatja Gashi gjatë seancës përgatitore të së mërkurës ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë të paditurën, që të paguajë në shumë prej 124 mijë euro paditësit në emër të shpronësimit për ngastrat kadastrale, të cilat janë objekt i këtij kontesti.

Sipas Gashit,  shpronësimi është bërë në vitin 1983 dhe se deri më tani paditësve nuk i është dhënë asnjë vendim  me të cilin tregohet se ngastrat janë shpronësuar përkundër faktit se paditësit e kanë kërkuar.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, avokati Ibrahim Ramadani, ka deklaruar se e kundërshton në tërësi kërkesëpadinë e paditësve, me arsyetimin se paditësit lidhur me kontestin në fjalë nuk kanë paraqitur provën kryesore vendimin për shpronësim e  ngastrave kontestuese.

Ai shtoi se për të paditurën nuk është kontestues fakti i shpronësimit, mirëpo kontestuese mbetet forma e kompensimi qoftë në para apo në tokë që në atë kohë i është kompensuar pronarëve.

Gjykatësi Xheladini seancën e radhës e ka caktuar të mbahet më 14 korrik 2022, e cila do të mbahet në terren në praninë e ekspertit gjeodet, në mënyrë që të bëhet konstatimi i gjendjes faktike.

Ndryshe, sipas padisë, së ushtruar më 7 dhjetor 2018, paditësit A.Sh dhe S.Sh janë pronarë të juridik të ngastrave kadastrale nr 803-2, në sipërfaqe prej 715 m2 dhe ngastrës kadastrale 803-3 në sipërfaqe prej 1779 m2 në vendin e quajtur “Bung Lum”,  të cilat evidentohen në emër të gjyshit të tyre J.Sh.

Sipas padisë, këto paluajtshmëri janë shpronësuar në vitin 1983 nga ana e Komunës së Vitisë, pa kurrfarë aktvendimi dhe se nuk janë kompensuar të njëjtat edhe pse komuna i përdorë për nevojat e saj.

Andaj, në bazë të kësaj padie paditësit po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, që të detyrohet e paditura Komuna e Vitisë që  në emër të shpronësimit faktik  për pronën nr. 803-2, në sipërfaqe prej 715 m2, dhe pronën 803-3, në sipërfaqe prej 1779 m2,  në vendin e quajtur “Bung Lug”, t’ua paguajë çmimin prej 124 mijë euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë