Caktohet ekspertizë gjeodezike në rastin ku paditësi po kërkon kompensim dëmi dhe anulimin e vendimit të MMPH

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Gjykata Themelore e Prishtinës, ka caktuar ekspertizë gjeodezike në seancën e së enjtes, në rastin ku paditësi – subjekti juridik “Oti-com” Sh.p.k p, po kërkon kompensim të dëmit nga Komuna e Prishtinës-Drejtorati për Urbanizëm dhe anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Propozimin për caktimin e kësaj ekspertize e ka bërë përfaqësuesi i paditësit, avokati Armend Kelmendi, pas pranimit të ekspertizës financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kam pranuar ekspertizën, e po ashtu referencën e tij se duhet të caktohet një ekspert gjeodet i licencuar, pasi që i njëjti pa ndihmën e një eksperti nga lëmia e gjeodezisë nuk ka pasur mundësi me përmbyll ekspertizën, sipas detyrave të dhëna në gjykatë, andaj propozojmë nxjerrjen e provës me ekspertin nga lëmia e gjeodezisë”, tha avokati Kelmendi.

Tutje, Kelmendi ia dorëzoi gjykatës provat me të cilat vërtetojnë se paditësi ka kryer të gjitha obligimet e kërkuara nga ana e Komunës, e të cilat kapin shumën totale 393 mijë e 603 euro, si dhe pagesën e korporatës energjetike për kyçje në rrjetin e distributorit në vlerë prej 11 mijë e 692 euro e 80 centë.

Propozimin e palës paditëse e kundërshtoi përfaqësuesi i palës me interes juridik-Komunës së Prishtinës, avokati Jeton Idrizi, me arsyetimin se është e panevojshme dhe vetëm do ta zvarriste procedurën në këtë çështje.

Pas kësaj, gjykatësja e çështjes Arjeta Sadiku, e aprovoi propozimin e palës paditëse për nxjerrjen e provës me ekspertizë nga lëmia e gjeodezisë.

Në këtë seancë mungoi prezent pala e paditur, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila sipas gjykatëses Sadiku është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 18 qershor 2015, subjekti juridik – “Oti-com” Sh.p.k p, po kërkon kompensim të dëmit nga Komuna e Prishtinës-Drejtorati për Urbanizëm.

Ndërsa, me precizimin e padisë më 2 shkurt 2021, paditësi ka paditur Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, lidhur me vendimin e lëshuar nga ky organ.

Në vendimit e të paditurës thuhet kërkesa e paditësit është refuzuar me arsyetimin se pas shqyrtimit të ankesave është vërtetuar se nuk është plotësuar dokumentacioni i kërkuar.

Sipas padisë, e paditura nuk ka lëshuar lejen e ndërtimit të Bllokut I deri në ngritjen e kësaj padie, edhe pse paditësi disa herë ka kërkuar lëshimin e lejes së ndërtimit në formë të shkruar dhe gojarisht në takime zyrtare me personat kompetent.

Në padi thuhet se për shkak të mos lëshimit së lejes së ndërtimit të objektit Kalabria B-1, paditësi ka pësuar dëm material dhe jo material për shkak të prishjes së materialit ndërtimor, pagesës së qirasë të blerësve të banesave, pagesat e punëtorëve, shpenzimet lidhur me sigurimin e objekteve dhe mirëmbajtjes. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë