Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku paditësi po kërkon kompensimin e diferencës së pagës

Raporton: Blinerë BEKA

Prishtinë – Gjykata ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit Halil Haliti, Besim Parduzi për nxjerrjen e provës përmes ekspertizës financiare.

Në këtë rast, paditësi Halil Haliti ka paditur Telekomin e Kosovës, për kompensimin e diferencës së pagës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ylber Shurdhiqi, si detyra për ekspertin që do të bëjë ekspertizën financiare, ka caktuar llogaritjen e diferencës në pagë nga grada 10 në gradën 12, nga 1 janar 2010 deri në ditën e përpilimit të ekspertizës, kalkulimin e tatimit në pagë, kontributet pensionale dhe kamatën ligjore që nga dita e parashtrimit të padisë.

Ky propozim u kundërshtua nga përfaqësuesja e të paditurës Telekomi i Kosovës, Raze Gjogjaj, duke e konsideruar nxjerrjen e kësaj ekspertize si të panevojshme.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i paditësit, Parduzi, ka bërë edhe precizimin e padisë në aspektin subjektiv, ku pasi që Posta dhe Telekomi i Kosovës është ndarë në dy kompani publike të veçanta, si të paditur kanë emëruar vetëm Telekomin e Kosovës.

Edhe këtë precizim të padisë, përfaqësuesja e të paditurës, Gjogjaj e ka kundërshtuar, me arsyetimin se kjo padi është shumë e mangët në aspektin e përmbajtjes së provave, kërkesës së çështjes kryesore dhe asaj akcesore.

Më tej, e njëjta ka shtuar se lidhur me pretendimet e paditësit se sikurse pozita e paditësit-Zyrtar për çështje pronësore-juridike, eksitojnë edhe pozita tjera të njëjta që janë të plotësuar nga punëtorë tjerë të të paditurës dhe të njëjtit paguhen me gradën 12, ka theksuar se  kjo nuk është e saktë dhe e vërtetë ngase pozita e paditësit është pozitë e vetme në kuadër të të paditurës.

“E paditura për të provuar kundërshtimet dhe kontestimet e pretendimeve të paditësit, gjykatës i prezanton si provë materiale edhe 5 kontrata pune për punëtorët për të cilët paditësi pa të drejtë pretendon se paguhen me gradë 12”,  ka thënë Gjogjaj.

Për këtë çështje, më 28 janar 2021 ka vendosur edhe Gjykata e Apelit, duke aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës Posta dhe Telekomi i Kosovës, duke prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 30 prill 2015.

Kjo me arsyetimin se Gjykata Themelore nuk e ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike  duke bërë që zgjidhja ligjore e kërkesëpadisë së paditësit ka rezultuar të jetë e gabuar, andaj çështjen në fjalë e ka kthyer në rigjykim.

Ndërkaq, paraprakisht, gjykata e shkallës së parë, më 30 prill 2015 ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Halil Haliti dhe ka detyruar të paditurën që paditësit Haliti, për vendin e punës zyrtar për çështje pronësore-juridike t’ia kompensojë diferencën e pagës dhe bonuseve nga grada 10 në 12, nga data 1 janar 2010, me kamatë ligjore nga data 30 prill 2015.

Sipas padisë së ushtruar më 11 maj 2012, paditësi Halil Haliti më 1 janar 2010, ka lidhur kontratë të punës me të paditurën Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, nga e cila iu është caktuar kompensimi në pagë nga grada 12, ndërkaq me aktvendim të burimeve njerëzore iu është caktuar grada 9.

Për këtë, në padi thuhet se paditësi ka ushtruar ankesë, por që nga Komisioni i Ankesave të të paditurës nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Andaj, paditësi Haliti po kërkon nga e paditura kompensimin në emër të ndryshimit të pagës në mes të gradës 10 dhe 12, pastaj ndryshimin në bonus dhe trust mes këtyre gradave, dëmtimi nga data 10 dhe 9 për periudhën shkurt-maj 2012 dhe kamatën ligjore prej 4% nga data 1 janar e deri më sot. /BetimipërDrejtësi

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë