Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku paditësi po kërkon kompensim dëmi nga “TEB”

Raporton: Flutura Rraqi

Suharekë- Është aprovuar propozimi i të autorizuarës së paditësit Abedin Maliqaj, avokates Nadire Hoxha, të bërë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Suharekë, për nxjerrjen e ekspertizës financiare.

Në këtë rast, paditësi Abedein Maliqaj po kërkon nga “TEB” Sh.A, kompensim dëmi, gjegjësisht fitimin e humbur, për konfisikimin e kamionit “Man” në procedurën e përmbarimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Selajdin Gallapeni, pas aprovimit të kërkesës tha se eksperti financiar do të kalkulojë fitimin e humbur për periudhën 2 prill 2015 deri më 14 qershor 2017, për shkak të mospërdorimit të kamionit të tipit “Man”, i cili është konfiskuar në procedurën e përmbarimit.

Gjyqtari Gallapeni ka obliguar palën paditëse që për nxjerrjen e provës me ekspertizë të deponojë shumën prej 300 euro brenda afatit prej 3 ditësh, në të kundërtën gjykata konsideron se pala paditëse ka hequr dorë nga kjo provë.

Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë e autorizuara e paditësit, avokatja Nadire Hoxha, ndërsa për të paditurën, me autorizim Mergim Kokollari.

Ndryshe paditësi Abedin Maliqaj ka kërkuar kompensimin e dëmit gjejgësisht fitimin e humbur, pasi që në procedurën e ekzekutimit kundër debitorëve Behram dhe Hajrullah Ramadani, i është konfiskuar kamioni i tipit “Man”, i cili ka qenë pronë e tij në bazë të shitblejrjes.

Pasi që kamioni ka qenë i dedikuar për afarizëm, i njëjti thuhet se pa fajin e tij nga viti 2015 deri më 2017 nuk ka mundur të realizojë asnjë të ardhur nga ai, duke i shkaktuar kështu paditësit dëm material.

Andaj, nga kjo gjykatë ka kërkuar që e paditura t’ia kompensojë dëmin material, me kamatë ligjore nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë