Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Në rastin ku paditësja N.T.H “Shqiponja” po kërkon anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të përfaqësueses së paditëses, avokates Miranda Haxhiu, ka caktuar të bëhet ekspertizë financiare.

Vendimi për caktimin e ekspertizës financiare është marrë nga gjykatësi Fisnik Nuli, të mërkurën në shqyrtimin gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte aprovuar pjesërisht ankesën e subjektit N.T.H “Shqiponja”, të cilën ankesë ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit.

Në vendim thuhet se me kontrolle është bërë verifikimi në shënimet e ATK-së lidhur me blerjet e aparateve dhe inventarit dhe është konstatuar se këto blerje janë bërë nga bizneset që janë fiktive, gjithashtu është konstatuar se për këto fatura nuk ka dëshmi bankare të pagesave.

Në këtë seancë, përfaqësuesja e paditësit, avokate Miranda Haxhiu ka deklaruar se mbetet pranë padisë, me kërkesë që në këtë seancë gjykata të caktojë ekspertizë financiare

“I propozoj gjykatës që në këtë lëndë të konfliktit administrativ të bëhet nxjerrja e provës me anë të ekspertizës financiare, ku me të cilin rast do të bëhet rivlerësimi i gjendjes së stokut sipas periudhës tatimore përmes analizës hyrje-dalje dhe rivlerësimi i çmimit mesatar të shitjes së artikujve bazuar në legjislacion tatimor”, tha avokatja Haxhiu.

Lidhur me këtë, gjykatësi Fisnik Nuli mori aktvendim për caktimin e ekspertizës financiare.

Gjykatësi Nuli ka njoftuar se seanca e radhës do të caktohet pas marrjes së ekspertizës dhe palët do të njoftohen për seancë me ftesa të rregullta.

Në këtë seancë nuk ishte prezent pala e paditur, sipas gjykatësit Nuli e njëjta e ka njoftuar gjykatën se nuk do të marrë pjesë në seancë dhe ka kërkuar që të veprojë në pajtim me nenin 38 par.5 të LKA-së.

Ndryshe, paditësi N.T.H “Shqiponja”, kishte ushtruar padi më 10 tetor 2019 ndaj të paditurës-Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore.

Sipas palës paditëse, vendimi është nxjerrë në kundërshtim me përmbajtjen e provave të dorëzuara nga pala paditëse në cilësinë e tatimpaguesit, rrjedhimisht vendimi i fundit i organit administrativ është kundërthënës dhe ligjshmëria e të njëjtit nuk mund të kuptohet. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë