Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku paditësi kërkon kthimin në punë dhe kompensimin e pagave të pa paguar në shumë mbi 40 mijë euro

gjykata 2 (1)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Janar 26, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, është caktuar ekspertizë financiare në rastin ku paditësi Ermal Sadiku po kërkon nga e paditura SOLABORATE LLC, kthimin në punë dhe kompensimin e pagave të pa paguara në vlerë prej 40,800.00 euro.

Ekspertiza financiare është caktuar pas propozimit të përfaqësuesit të paditësit, avokatit Durim Osmani, i cili ka thënë se detyrë e ekspertit është që të përcaktoj pagat e pa paguara që nga muaji shtator i viti 2015 e deri në përpilimin e ekspertizës.

Ndërsa, përzgjedhjen e ekspertit financiare e ka lënë në kompetencë të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Isamedin Dedinca ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi, thënieve nga seancat e kaluar, parashtresave të dorëzua, si dhe ka propozuar që gjykata padinë e paditësit ta hedhë poshtë si të palejuar, te cilin propozim ka thënë se e mbështet në arsyetimin e dhënë në parashtresën e datës 15 shtator 2020.

Ndërsa, lidhur me propozimin e përfaqësuesit të paditësit për marrjen e provës me ekspertizë financiare, Dedinca ka thënë se e kundërshton me arsyetimin se padia është e pa lejuar.

Pas kësaj, gjykatësja e rastit Hidajete Gashi me aktvendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për marrjen e provës me ekspertizë financiare, si dhe për ekspert ka caktuar Mihrije Morina.

Po ashtu, gjykatësja Gashi me vendim e ka obliguar eksperten financiare që brenda afatit prej tetë ditëve, nga dita e pranimit të vendimit, të sjell në gjykatën mendimin dhe konstatimin e saj.

Po ashtu, e ka obliguar eksperten financiare që ti përgjigjet ftesës për seancën e radhës, e cila seancë pritet të mbahet pas marrjes së ekspertizës financiare.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 8 tetor 2015, paditësi Sadiku po kërkon nga e paditura SOLABORATE LLC, anulimin e njoftimit mbi ndërprerjen e kontratës së punës, kthimin në punë dhe kompensimin e pagave të pa paguar vlerë prej 40,800.00 euro.

Në padi thuhet se, paditësi dhe e paditura më 2 prill 2015 kishin lidhur kontratë pune me kohë të caktuar, por siç thuhet në padi e paditura me njoftimin të datës 6 shtator 2015 e kishte njoftuar paditësin se iu ndërpritet marrëdhënia e punës.

Bazuar në padi, paditësi i pa kënaqur me vendimin e të paditurës për ndërprerjen së marrëdhënies së punës, me 23 shtator 2015 kishte paraqitur ankesë pranë të paditurës, por kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën e paditësit.

Në padi paditësi pretendon se, e paditura me rastin  ndërprerjes së marrëdhënies së punës ka shkelur nenin 70 të Ligjit të Punës.

Prandaj, mbi këtë bazë paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e tij të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që ta kthej në punë dhe t’ia kompensoj pagat e pa paguar ne vlerë prej 40,800.00 euro. /BetimipërDrejtësi