Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku mësimdhënësi po kërkon kompensimin e pagës jubilare nga Komuna e Lipjanit

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Në seancën e së martës është propozuar ekspertizë financiare në rastin ku paditësi S.M ka paditur Komunën e Lipjanit, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit ku nga kjo e fundit po kërkon kompensimin e pagës jubilare, kompensimin e shpenzimeve të ushqimit dhe shpenzimeve të udhëtimit.

Propozimin e tillë e ka bërë e autorizuara e paditësit M., avokatja Nazmije Aliu në seancën përgatitore, ndërsa për ekspert ka propozuar që të caktohet Ali Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aliu,  tha se detyrë e ekspertit financiar do të jetë llogaritja e pagës jubilare pasi që paditësi siç ka thënë ajo, ka përvojë pune mbi 20 vite, pastaj të llogarisë shpenzimet e udhëtimit dhe ushqimit dhe atë që nga hyrja në fuqi e kontratës kolektive të datës 18 maj 2017 deri me 31 dhjetor të vitit 2021.

Tutje, Aliu ka thënë se, eksperti do të ketë për detyrë që të llogarisë edhe kompensimin në bazë të kualifikimit pasi që është me kualifikim superior, ka të kryer Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore, andaj, sipas saj, detyrë e të njëjtit do të jetë të llogarisë ndryshimin në bazë të kualifikimit që paditësit i takon në bazë të nenit 7 paragrafi 1 pika 1.3 të Kontratës Kolektive të datës 18 maj 2017, e cila ishte në fuqi në kohën e ngritjes së padisë.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, avokati Behar Krasniqi ka thënë se propozimi për ekspert është i panevojshëm.

Pas deklarimeve të të autorizuarve të palëve, gjykatësi Isa Gashi përmes aktvednimit lejoi të nxirren provat si në padi, dhe nxirrja e provës me ekspert gjyqësor financiar ku detyrat të cilit do të jetë të llogarisë pagën jubilare, shpenzimet e udhëtimit relacionin Lipjan Shtime dhe anasjelltas, shpenzimet e ushqimit dhe pagën shtesë të kualifikuar duke filluar nga data 18 maj 2017 deri më 31 dhjetor 2021, dhe pagën shtesë në emër të kualifikimit duke filluar nga data 20 janar 2019 deri më 31

Gjykatësi Gashi për ekspert që do ta kryej këtë ekspertizë caktoi Ali Gashi.

Ndryshe, e autorizuara e paditësit, avokatja Nazmije Aliu deklaroi se me parashtresën e datës 19 janar 2022 ka kërkuar zgjerimin e kërkesëpadisë duke kërkuar që paditësit t’i kompensohet edhe paga shtesë në emër të diferencës së kualifikimit, me ç’rast kërkoi nga gjykata që të lejohet zgjerimi i padisë.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, avokati Behar Krasniqi ka thënë se, e kundërshton zgjerimin e  padisë në kuptimin objektiv për pagesat shtesë, me arsyetimin se të njëjta kërkesa janë të paraqitura në padi.

Përmes aktvendimit gjykatësi Gashi lejoi zgjerimi e padisë së paditësit në emër të diferencës së kualifikimit.

Ndërsa, në fillim të seancës e autorizuara e paditësit, Aliu ka thënë se, mbetët pranë padisë dhe zgjerimit të padisë nga aspekti objektiv.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës deklaroi se mbetët në tërësi pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se konsiderojnë që kërkesa për përvojën e punës për pagë jubilare është parashkruar pasi që paditësi në momentin e paraqitjes se padisë ka mbi 26 vite përvojë pune sipas vërtetimeve që ka ofruar e autorizuari e paditësit.

Krasniqi tha se, konsiderojnë që kanë parashkrim të arsyeshëm të kërkesës për pagesën e diferencës me kualifikim meqenëse sipas tij, kjo kërkesë është paraqit me 20 janar 2022.

Ndërsa, sa i përket udhëtimit konsiderojnë që Kontrata Kolektive parasheh që udhëtimi të paguhet vetëm brenda vendbanimit apo komunës në të cilën i punësuari është i punësuar.

Lidhur me deklarimet e palës së paditur, e autorizuara e paditësit, avokatja Aliu tha se i kundërshton të dhënat që u theksuan nga i autorizuari i palës së paditur pasi që paditësi ka kërkuar zgjerimin e padisë në aspektin objektiv dhe ka shtuar edhe një kërkesë të re dhe atë  e ka dorëzuar në gjykatë më 4 tetor 2019, dhe pasi që është lejuar zgjerimi i padisë atëherë konsiderojnë se nuk kanë të bëjnë me parashkrim të kësaj kërkese.

Tutje, Aliu i kundërshtoi edhe të dhënat që i theksoi i autorizuari i të paditurit lidhur me kompensimin e paditësit për arsye se në Kontratën Kolektive askund nuk theksohet se nuk kompensohet paditësi i cili jeton në një komune tjetër.

Kështu që, Aliu tha se,  konsideron se paditësit i takon e drejta në kompensim të shpenzimeve të udhëtimit në komunën përkatëse ku është i punësuar.

Në këto rrethana, seanca përgatitore përfundoi kurse seanca kryesore u caktua më 4 gusht 2022.

Gjykatësi Gashi tha se, me ftesë do të ftohet eksperti Gashi.

Ndërsa, obligoi palën paditëse që në afatin prej pesë ditësh gjykatës t’ia dorëzoj një vërtetim për pranin e paditësit në punë nga 18 maj 2017 deri më 31 dhjetor 2021, si dhe certifikatën e vendbanimit të paditësit.

Sipas padisë së ushtruar më 4 tetor 2019, paditësi S.M. po kërkon nga e paditura Komuna e Lipjanit përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit kompensimin e pagës jubilare, kompensimin e shpenzimeve të ushqimit dhe shpenzimeve të udhëtimit.

Në padi thuhet se, paditësi është në marrëdhënie pune në Gjimnazin “Ulpiana ” në Lipjan atë me kontratë pune të përhershme dhe atë është i sistemuar në pozitën profesor, i lëndës së Kimisë, pasi që i njëjti është i kualifikuar, ka të kryer fakultetin e Kimisë në UP .

Sipas padisë, paditësi ka përvojë pune mbi 20 vjeçare ku edhe më tutje vazhdon të punojë në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, mirëpo asnjëherë deri më tani nuk ka marrë pagën jubilare për përvojën 20 vjeçare në këtë institucion.

Në padi thuhet se, paditësi është edhe anëtar i rregullt i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Gjithnjë sipas padisë, meqenëse e paditura në mënyrë vullnetare nuk e ka përmbushur detyrimin e saj në raport më paditësin, atëherë është i detyruar që më padi të kërkoji mbrojtje juridike nga gjykata e që përmes aktgjykimit po kërkon të miratohet në tërësi kërkesëpadia e paditësit si e bazuar dhe të obligohet e paditura që t’ia paguaj shpërblimin jubilar si dhe të bëjë kompensimin e shpenzimeve dhe udhëtimit në kamatën ligjore prej 8%./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë