Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku ish-punëtori i KEDS-it kërkon të kthehet në vendin e punës

A Gjykata
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Qershor 10, 2019

Prishtinë – Me pretendimin se pa të drejtë dhe në mënyrë të kundërligjshme është larguar nga puna, ish-punëtori i KEDS-it, Shaip Demiri, në maj të vitit 2016, kishte ushtruar padi kundër Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), për anulimin e vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Lidhur me këtë rast të hënën, është mbajtur seanca përgatitore, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Nasuf Hasani, ka thënë se pretendimet e të paditurës të dhëna në përgjigje në padi nuk mbështetën askund dhe se sipas tij, janë të kundërligjshme.

Ai ka thënë se e paditura i është referuar një vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të Bordit të KEDS-it, i cili vendim sipas tij, i referohet disa arsyeve teknike, organizative dhe ekonomike, por që nuk është e sqaruar se pse paditësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Duke u mbështetur në këtë, ai i ka propozuar gjykatës që të merret prova me ekspertizë financiare, për të llogaritur pagat e paditësit që nga koha e ndërprerjes së marrëdhënies së punës e deri tani.

Propozimi i përfaqësuesit të paditësit, për marrjen e provës me ekspertizë financiare është kundërshtuar nga përfaqësuesi i të paditurës, Agnez Furra.

Përfaqësuesi i të paditurës, i ka kundërshtuar pretendimet e palës paditëse, duke thënë se e paditura me rastin e marrjes së vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës ka vepruar në pajtim me Ligjin e Punës dhe rregulloreve të brendshme te KEDS-it.

Ai ka thënë se kontrata e punës ndërmjet paditësit dhe të paditurës është lidhur me vullnetin e lirë të dy palëve dhe e njëjta ka qenë për kohë të caktuar.

Ai ka shtuar se paditësi me kohë dhe sipas ligjit ka qenë i njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, prandaj i ka propozuar gjykatës që padinë dhe kërkesën e paditësit ta refuzojë si të pabazuar.

Gjykatësi i rastit Hysni Bardheci, pas dëgjimit të palëve ndërgjygjëse, e ka aprovuar propozimin e  paditësit për marrjen e provës me ekspertizë financiare, nga eksperti Ramadan Ferizi.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertizë financiare.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 4 maj 2016, paditësi po kërkon nga KEDS, tani e paditur, anulimin e vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe kthimin në vendin e tij të punës.

Siç thuhet në padi, paditësi fillimisht kishte qenë shpërndarës i faturave të KEK-ut, por pas privatizimit dhe kalimit në KEDS, i njëjti kishte ushtruar detyrën e analistit sipas kontratës së 1 janarit 2015.

Bazuar në padi, e paditura në mars të 2016, paditësit ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës bazuar në Ligjin e Punës.

Në padi thuhet se paditësi kishte paraqitur ankesë kundër vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës te e paditura, por ankesa e tij ishte refuzuar.

Paditësi në padinë e tij pretendon se me këtë vendim e paditura, ka shkelur Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshjen Përgjithshme Kolektive.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura KEDS, ta kthej në vendin e tij të punës dhe t’ia paguajë të gjitha pagat mujore që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës. /BetimipërDrejtësi