Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku gjashtë fizioterapeutë kërkojnë kompensim të pagave pas largimit nga puna

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka caktuar të bëhet ekspertizë nga lëmia financiare, në rastin ku paditësit Arbnor Gegaj, Veton Alushaj, Zani Bala, Festim Mema, Egzon Krasniqi dhe Fadil Muzlijaj po kërkojnë kompensim të pagave nga e paditura spitali “Onix SPA L.L.C”, pas largimit nga puna tek kjo e fundit.

Propozimin për nxjerrjen e ekspertizës financiare e ka bërë i autorizuari i paditësve, avokati Veton Berisha, me arsyetimin që eksperti të bëjë vlerësimin e fitimit të humbur, gjegjësisht të pagave nga 15 marsi 2020 deri më 31 dhjetor 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Selim Berisha e ka kundërshtuar propozimin e palës paditëse për nxjerrjen e ekspertizës financiare, pasi siç tha ai pala paditëse është dashuar eventualisht që me padi fillestare ta parashtroi një kërkesë të tillë.

Pas kësaj, gjykatësi Migjen Kastrati ka thënë se eksperti financiar dhe detyrat e tij do të caktohen me vendim të veçantë jashtë seance.

Në këto rrethana, gjykatësi Kastrati bëri të ditur se seanca e radhës caktohet për 20 janar 2022, nga ora 10:00.

Ndryshe, paditësit Arbnor Gegaj, Veton Alushaj, Zani Bala, Festim Mema, Egzon Krasniqi dhe Fadil Muzlijaj, më 10 qershor 2020 kanë parashtruar padinë fillestare në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar nga kjo e fundit që të detyrojë të paditurën spitalin “Onix SPA L.L.C”, që atë t’i kthejë në vendin e punës ku ishin më parë si terapeutë në repartin rehabilitues.

Në padi thuhet se paditësit veç e veç kanë krijuar marrëdhënie pune ndër vite me të paditurën, duke e konkretizuar një marrëdhënie të tillë me kontrata valide.

Sipas padisë, marrëdhënia e punës ndërmjet palëve tani ndërgjyqëse ka funksionuar mirë deri më 12 mars 2020, datë kjo kur drejtorit të spitalit të lartcekur 29 fizioterapeutë i janë drejtuar me një kërkesë legjitime, duke kërkuar shqyrtimin e kushteve të punës dhe të pagesave për punën që ata kanë bërë.

Në padi thuhet se drejtori i spitalit, Xhevdet Shoshi, pas pranimit të kërkesës me shkrim nga këtu paditësit, në shenjë revolte shprehimisht në formë gojore iu drejtohet 12 fizioterapeutëve me shprehjen “Largohuni nga këtu, liromani objektin”, duke i përzënë nga puna.

Pas kësaj, më 18 mars 2020 punëdhënësi ua prezanton punëmarrësve këtu paditësve nga një shtojcë të kontratës së punës me ndryshim të pozitës së punës dhe detyrave në kundërshtim me kualifikimin e tyre, për çka punëmarrësit refuzojnë ta nënshkruajnë.

Tutje sipas padisë, pas refuzimit të nënshkrimit si më lartë, punëdhënësi në të njëjtën ditë, me shkrim iu drejtohet punëmarrësve për shkëputjen e marrëdhënies së punës.

Ndërsa sipas precizimit të padisë së bërë më 10 shtator 2020, paditësit po kërkojnë nga ana e gjykatës që të detyrohet e paditura që secilit veç e veç t’u kompensoi pagat e punës sipas kontratave të tyre konform nenit 80 të ligjit të punës, duke e tërhequr kërkesën për kthim në vend të punës tek e njëjta./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë