Caktohet ekspertizë financiare në gjykimin për korrupsion ndaj zyrtarit doganor dhe të tjerëve

IMG_5318
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Maj 14, 2019

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, ka caktuar ekspertizë financiare në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohen zyrtari doganor Afrim Matoshi, si dhe Muhamet Beqiri dhe Bekim Ramusholli.

Në këtë rast, për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore, po akuzohen edhe Fatmir Xhemshiti dhe Mustafë Smajli, për të cilët pretendohet se kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 66.335,46 euro.

Propozimin për caktimin e ekspertit financiar e kanë bërë mbrojtësit e të pandehurve, duke u nisur nga ajo se vlera, e cila është caktuar si vlerë e mallit që është objekt i aktakuzës për të gjithë të akuzuarit, është shumë e cila nuk përkon me vlerën reale.

Sipas mbrojtjes, kjo shumë është shumëfish më e ulët se sa që pretendohet në aktakuzën e prokurorisë, dhe me këtë kanë konsideruar të domosdoshme angazhimin e një eksperti financiar.

“Propozoj caktimin e një eksperti financiar, i cili do të ketë për detyrë që të shqyrtoj dokumentacionin dhe mallin i cili është objekt i kësaj akuze, përkitazi me vlerën reale të atij malli që mund të shërbej si bazë për caktimin e doganës – obligimeve doganore, duke qenë se edhe vet doganierët dhe anëtarët e sektorit të vlerës kanë dëshmuar se është mall specifik i ashtu quajtur outlet, dhe se me rastin e pikënisjes për vlerësimin e atij malli janë bazuar në metodën gjashtë, që nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën e deri tashme që të aplikohet ai kriter për mallin konkret”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Ramusholli, avokati Avni Ibrahimi.

Për caktimin e kësaj ekspertize, kundërshtime nuk kishte as nga të pandehurit dhe as nga prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku.

“Nuk e kundërshtoj një propozim të tillë, sepse edhe ne jemi të interesuar që të zbardhet kjo çështje deri në detaje”, deklaroi Maloku.

Lidhur me këtë, gjykata mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e mbrojtësve të të pandehurve, për caktimin e një eksperti financiar të licencuar.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, tha se eksperti do të përzgjidhet nga ekspertët e lëmit financiar të licencuar, dhe nga i njëjti do të kërkohet që në një afat sa më të shkurtër kohor të jap mendimin apo konstatimin profesional lidhur me këtë ekspertizë.

Seanca e radhës do të caktohet pasi që eksperti t’ia dorëzojë ekspertizën gjykatës.

Sipas aktakuzës, Afrim Matoshi, akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe personin tjetër- kompaninë “DARD SHPK”, më 28 prill 2015, rreth orës 16:45, në terminalin doganor “Fitorja”, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare në atë mënyrë që maunën me mall për zhdoganim dhe furgonin e llojit “Fiat”, të cilin ishte duke e drejtuar Mustafë Smajli, që ishte i ngarkuar me mall tekstil, kishte lejuar të dal pa fletëdalje nga terminali doganor “Fitorja”.

Sipas aktakuzës, pasi ishte kontrolluar malli në maune dhe në furgon për zhdoganim ishte konstatuar  se vlera e mallit në baza të faturave nuk përputhet me Dokumentin Unik Doganor  (DUD), në vlerë totale prej 240.278.91 euro.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, dy të akuzuarit Bekim Ramusholli dhe Muhamet Beqiri, me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe për kompaninë “DARD SHPK”, me dashje i kanë ndihmuar personit zyrtar, Afrim Matoshit, të kryej veprën penale, në atë mënyrë që i akuzuari Beqiri, në cilësi të shpediterit nuk i kishte plotësuar të dhënat e duhura për zhdoganim të mallrave për këtë kompani, ndërsa i pandehuri Bekim Ramusholli, në cilësinë e punëtorit të rampës në terminalin doganor “Fitorja”, kishte lejuar që nga terminali të dal pa fletëdalje, furgoni “Fiat”.

Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Kurse, Fatmir Xhemshiti dhe Mustafë Smajli, me qëllim që t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, nuk kanë paraqitur dokumente legale dhe furgoni që ishte u drejtuar nga Mustafë Smajli, me udhëzime të Fatmir Xhemshitit, kishte ikur nga mbikëqyrja doganore pa paguar taksat për mallin me të cilin kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 66.335.46 euro.

Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia mashtruese nga pagesat e detyrueshme doganore”, nga neni 318 paragrafi 3 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi