Caktohet ekspertizë financiare dhe e ndërtimtarisë në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së

IMG_8735
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Prill 29, 2021

Prishtinë – Në rastin ku paditësi-NSH “LINOR” po kërkon anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të bëhet ekspertizë financiare dhe ekspertizë e ndërtimtarisë.

Një vendim i tillë u mor në seancën përgatitore të mbajtur të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit NSH “LINOR”, të cilën ankesë ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit.

Në vendim thuhet se tatimpaguesi gjatë lidhjes së kontratave me punë kryerësit nuk kishte arritur të merrte fatura, ku gjatë ri-kontrollit ishte bërë verifikimi te të gjithë punë kryerësit që kishin kontratë me NSH “LINOR”, të cilët kishin deklaruar se nuk kanë kryer asnjë punë apo shërbim ndërtimor dhe se nuk marrin asnjë përgjegjësi lidhur me këto kontrata.

Lidhur me këtë rast, përfaqësuesi i paditësit, avokati Kujtim Kërveshi në seancën e së enjtes ka deklaruar se mbetet pranë padisë, me kërkesë që në këtë seancë përgatitore gjykata të caktoj ekspertizë financiare, me të cilën eksperti do të vlerësojë nëse pretendimet e paditësi janë te bazuara edhe përmes dëshmive materiale të cilat janë të disponueshme.

“Për paditësin është e qartë se e paditura gjatë vlerësimit të vet ka ngarkuar pa të drejtë paditësin për detyrimet e kontraktuara, gjë e cila vërtetohet përmes kontratave, ankesave, dëshmive materiale, siç janë shënimet e banesave dhe lokaleve të cilat janë në emër të kontraktorëve, e të cilat janë bartur të personat e tretë nga shitblerjet që kanë bërë kontraktorët”, tha Kërveshi.

Në këtë seancë, avokati Kërveshi i dorëzoi gjykatës anekset e kontratave, një tabelë financiare dhe listën e transaksioneve të konsumatorëve të KESCO-s, për të cilat tha se vërtetojnë se paditësi këto lokale dhe banesa sipas kontratave nuk kanë qenë të tij dhe se kontraktuesit shumica prej tyre të papërgjegjshëm mund të kenë ndërmarrë veprime të tjera të ndaluara, e të cilat e paditura është dashur t’i hulumtoj.

Ai poashtu i propozoi gjykatës që për çështjen e hapësirës së ndërtimit-metrazhit bruto dhe neto të caktohet ekspertizë e ndërtimtarisë.

Lidhur me këtë, gjykatësi Fisnik Nuli mori aktvendim për caktimin e ekspertizës financiare dhe atë të ndërtimtarisë.

Gjykatësi Nuli ka njoftuar se seanca e radhës do të caktohet pas marrjes së ekspertizave dhe palët do të njoftohen për seancë me ftesa të rregullta.

Ndryshe, paditësi Halim Ymeri, pronar i kompanisë NSH “LINORI”, kishte ushtruar padi më 31 korrik 2017 ndaj të paditurës-Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore.

Siç thuhet në padi, vlera totale e kontratave prej 1.057,490,00 euro e lidhur më nëntë subjekte juridike për ekzekutimin e punimeve ndërtimore nuk ishte pranuar gjatë ri-kontrollit dhe se hapësira e ndërtimit ishte kalkuluar gabimisht, duke kalkuluar hapësirën banuese në bruto m2 të ndërtimit dhe duke mos bërë zbritjen e hapësirave të përbashkëta siç parashihet me legjislacionin në fuqi. /BetimipërDrejtësi