Caktohet ekspertizë e re komunikacioni në çështjen për kompensim dëmi nga aksidenti në trafik

Foto 08.11.2018
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Nëntor 8, 2018

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të enjten ka aprovuar kërkesën e përfaqësuesit të të paditurës së parë, kompanisë së sigurimeve “Prisig”, Sami Rexha, që për seancën e radhës, të përpilohet një ekspertizë e re komunikacioni.

Sipas padisë, paditësit Bekim dhe Behare Rudi, si dhe të miturit B.R dhe B.R, për shkak të aksidentit në komunikacion më 27 dhjetor 2016, kanë pësuar lëndime trupore, me ç’rast ata po kërkojnë kompensim dëmi material dhe jo material.

Sami Rexha, përfaqësues i “Prisig”, ka deklaruar se ka vërejtje në ekspertizën e përpiluar nga eksperti i komunikacionit, Bajram Latifi, për shkak se sipas tij, eksperti nuk i ka vënë përgjegjësi në shkaktimin e aksidentit automjetit “A”, i evidentuar në raportin e policisë.

“E kundërshtojmë në tersi ekspertizën për shkak të faktit se edhe automjeti “A”, i evidentuar në raportin e policisë ka pasur përgjegjësi në shkaktimin e aksidentit, andaj me qëllim të sqarimit të rrjedhjes së aksidentit, ne si palë e paditur, e parë, i propozojmë gjykatës që të bëhet nxjerrja e një ekspertize të re të komunikacionit me anë të të cilës do të vërtetohej gjendja e saktë faktike”, ka thënë Rexha.

Këtë propozim, e ka kundërshtuar përfaqësuesi i të paditurës së dytë, Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), Dren Hoti, i cili ka deklaruar se eksperti i komunikacionit, në ekspertizën e përpiluar mjaftueshëm e ka arsyetuar mendimin e tij dhe eksperti mund të ftohet në sqarim, duke iu shmangur edhe shpenzimeve procedurale.

Kurse, i autorizuari i paditësve, avokati Nuhi Krasniqi, lidhur me propozimin, ka deklaruar se ia lë gjykatës për vlerësim nëse është e nevojshme të bëhet përsëri ekspertizë e re e komunikacionit.

Pas deklarimeve të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi Nehat Qelaj, e ka aprovuar kërkesën e përfaqësuesit të palës së parë të paditur, duke e caktuar për ekspert komunikacioni, Yll Koshi, dhe ka marrë vendim që seanca e radhës të jetë më 10 dhjetor 2018, në ora 10:00.

Paditësit Bekim, Behare, Blerta dhe Blend Rudi, më 27 dhjetor 2017, kishin parashtruar padi, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ndaj të paditurve, kompania e sigurimeve “Prisig” dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), për kompensim të dëmit material dhe jo material të shkaktuar si pasojë e aksidentit në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, me 27 dhjetor 2018.

Sipas padisë, në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, ku njërën e kishte drejtuar paditësi Bekim Rudi, në të cilin pasagjerë kanë qenë bashkëshortja e tij, Behare Rudi dhe fëmijët B.R dhe B.R, të cilët si pasojë e këtij aksidenti kanë pësuar lëndime trupore, kurse tjetrën veturë e kishte drejtuar Driton Hyseni.

Siç thuhet në padi, për faktin se vetura e cila kishte shkaktuar aksidentin ka qenë e siguruar në kompaninë e sigurimeve “Prisig”, dhe vetura e paditësit ka pasur të paguar sigurimin kufitar ku përgjegjësia për kompensim dëmi i bie BKS-së, paditësit Rudi nga të paditurat po kërkojnë kompensimin e dëmit material dhe jo material sipas vendimit të gjykatës.