Caktohet ekspertizë e makinerisë që të vlerësojë dëmin për thyerjen e xhamit të veturës

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti– Në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti të mërkurën me propozimin e palës paditëse, është caktuar ekspertizë e makinerisë në rastin ku paditësi B.S. po kërkon nga e paditura Byroja Kosovare e Sigurimit “BKS”,  kompensim për thyerjen e xhamit të veturës, lidhur me aksidentin e 2018-ës.

Fillimisht, në këtë seancë përfaqësuesi i paditësit avokati Minir Arifi ka deklaruar se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai gjithashtu i ka propozuar gjykatës nxerrjen e provës me ekspertizë nga lëmia e makinerisë, me qëllim që të vërtetoj lartësinë e dëmit për xhamin e për parëm të veturës së paditësit.

Ndërsa, përfaqësuesja e të paditurës BKS, Krenare Robelli ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se për të paditurën kontestuese është baza ligjore e kërkesëpadisë, pasi që paditësi nuk ka dorëzuar raport policor të aksidentit, e gjithashtu mungon edhe aktgjykimi penal dhe ekspertiza e komunikacionit.

Ajo po ashtu u kundërshtoi propozimin për nxerrjen e provës me ekspertizë nga lëmia e makinerisë, pasi që nuk ka prova materiale ku do të përcaktohej vlera reale e dëmit të shkaktuar.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit Arben Xheladini ka aprovuar propozimin për sigurimin e provës me ekspertizë nga lëmia e makinerisë, me detyrat e propozuara.

Seanca e radhës  është caktuar të mbahet me 29 korrik 2022.

Ndryshe, sipas padisë së ushtuar më 25 korrik 2018, paditësi B.S. kërkon nga e paditura, Byroja Kosovare e Sigurimit, kompensimin e dëmit material.

Në padi thuhet se paditësi B.S. 22 shkurt 2018, në rrugën magjistrale Viti-Ferizaj, saktësisht në fshatin Sadovinë e Jerliv, ka ndodhur aksident trafiku, i shkaktuar nga ana e drejtuesit të automjetit kamion i cili ishte duke lëvizur para vozitësit nga i cili ka rënë një guri (Zhavor) duke ia dëmtuar xhamin e për parëm të veturës, zhavorri ka qenë në rimorkio i pa mbuluar  dhe i rrezikshëm për pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, madhësia e gurit ka qenë 30×60 cm sipas raportit të policisë.

Sipas padisë, policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se deri tek thyerja e xhamit ka ardhur si pasoj e rënies së zhavorrit  në formë të gurëve nga ana e kamionit me rimorkio “Man” të vozitësit B.M., të cilit edhe i është shqiptuar një tiketë me gjobë për shkak të transportit të zhavorrit pa mbulesë.

Prandaj me anë të kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar dhe që të detyrohet e paditura, BKS, që në emër të dëmit material  t’ia kompensojnë shumën prej 850 euro, dhe atë kamatë ligjore prej 12%. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë