Caktohet ekspertizë e komunikacionit në rastin ku pesë paditësit po kërkojnë kompensim dëmi 60 mijë euro

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të pesë paditësve Fatos, Shahe, Bujar, Besa Krasniqi dhe Teuta Hajdini, avokatit Armend Krasniqi për marrjen e provës me ekspertizë të komunikacionit.

Në këtë rast, pestë të paditurit po kërkojnë nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig” kompensimin e dëmit në vlerë 60 mijë euro për aksidentin e vitit 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, përfaqësuesi i paditësve Krasniqi dhe Hajdini, avokati Armend Krasniqi ka deklaruar se janë të gatshëm të propozojmë edhe nxjerrjen e ekspertizës nga lëmi i komunikacionit.

Po ashtu edhe përfaqësuesi i të paditurës “Eurosig”, avokati Fatlum Shala ka propozuar që të nxjerret një ekspertizë e komunikacionit, ku sipas tij detyrë e ekspertit do të ishte përcaktimi i kontributit dhe përgjegjësisë së pjesëmarrëseve në shkaktimin aksidentit.

Propozimin në fjalë, për marrjen e provës me ekspertizë të komunikacionit me vendim e ka aprovuar gjykatësi Dardan Kadolli.

Për ekspertë të komunikacionit, gjykatësi Kadolli ka caktuar ekspertin Sejdi Berisha, detyrat e të cilit sipas tij janë që përmes analizimit të shkresave të lëndës, të japë mendimin lidhur me shkaqet që kanë çuar deri te aksidenti.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertizë të komunikacionit.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 29 dhjetor 2017, paditësit Fatos, Shahe, Bujar, Besa Krasniqi dhe Tetuta Hajdini nga Prishtina po kërkojnë nga e paditura Kompania Sigurimeve “Eurosig” kompensimin e dëmit në shumën 60 mijë euro.

Në padi thuhet se më 2 dhjetor 2017 në fshatin Llukar, Komuna e Prishtinës, kishte ndodhur aksident komunikacioni në mes automjetit, të cilin e drejtonte Isuf Maliqi dhe një biçikletë në të cilën në  momentin e aksidentit ishte duke e drejtuar (tani i ndjeri) babai-bashkëshorti i paditësve H.K.

Në padi thuhet se deri te shkaku i aksidentit të trafikut që kishte shkaktuar pasoja fatale ka ardhur me fajin ekskluziv nga drejtuesi i automjetit Maliqi, ku si pasojë  të këtij aksidenti nga lëndimet e pësuara, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë H.K

Më tutje thuhet se me vdekjen e tani të ndjerit H.K, tani paditësit kanë humbur përkujdesjen  prindërore ndaj familjes dhe shtëpisë së tyre.

Prandaj  me anë të kësaj padie, paditësit Fatos, Shahe, Bujar, Besa Krasniqi dhe Tetuta Hajdini po kërkojnë nga e paditura “Eurosig” kompensimin e dëmit material dhe jomaterial ta paguajë shumën e përgjithshme prej 60 mijë euro.

Kurse, sipas përgjigjes në padi të ushtruar më 26 nëntor 2020 e paditura Kompania Sigurimeve “Eurosig” përmes përgjigjes në padi kishte deklaruar se pasi kanë pranuar aktvendimin për përgjigje në padinë dhe shkresat  e tjera të lëndës, në bazë të të cilave kërkesëpadinë e kontestojnë për nga baza juridike dhe lartësia.

Lidhur me këtë, në përgjigjen në padi thuhet se bazuar në raportin e policisë skicën e aksidentit, kërkesëpadinë e paditësve e kontestojnë  pjesërisht  nga baza juridike për faktin se përgjegjësi në shkaktimin e aksidentit kishte edhe biçiklisti (tani i ndjerë) H.K, për këtë arsye kanë kërkuar ekspertizën e komunikacionit .

Me anë të kësaj përgjigje në padi, thuhet se kontestuese është lartësia e kërkesëpadisë  sepse e paditura “Eurosig” konsideron se shuma e kërkuar nga paditësit është mjaft e lartë duke nisur  edhe nga kriteret e parashikuara nga neni 183 LMD.

Andaj me anë të kësaj përgjigje në padi, e paditura  “Eurosig” kërkon nga gjykata që të mos aprovohet në tërësi  padia e palëve paditëse  Krasniqi dhe Hajdini,  por që palët paditëse t’i caktojnë shumat reale.  /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë