Caktohet ekspertizë e komunikacionit në rastin ku paditësi po kërkon nga “Sigkos” dhe BKS mbi 2 mijë euro

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti– Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të mërkurën ka caktuar ekspertizë të komunikacionit në rastin ku Afrim Xhela po kërkon 2 mijë e 500 euro kompensim dëmi nga Kompania e Sigurimeve “Sigkos” dhe Byroja Kosova e Sigurimit (BKS).

Propozimin për caktimin e kësaj ekspertize e bëri përfaqësuesi i paditësit Xhela, avokati Hajriz Lubishtani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Lubishtani në fillim të seancës propozoi që e njëjta të mbahet në mungesë të së paditurës së parë KS “Sigkos”, kurse ekspertizën e propozoi me qëllim të ndarjes së përgjegjësisë në mes të paditurave.

“Në shkresat e lëndës rreth ndarjes së përgjegjësisë shihet se e paditur është edhe BKS-ja, që sipas ligjit për autopërgjegjësinë e detyrueshme, ka përgjegjësi për kompensimin e dëmeve nga persona NN, e në rastin konkret ku ka qenë paditësi pasagjer i automjetit, ka pasur sigurim”, tha ai teksa propozoi ekspertizën.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës së dyë BKS, Lind Haziri, deklaroi se ata nuk duhet të jenë palë e paditur në këtë rast dhe se e kontestojn në tërësi padinë dhe kërkesëpadisë e paditësi, ndërsa propozimin për nxjerrjen e provës me ekspertizë të komunikacionit nuk e ka kundërshtuar.

Gjykatësi Raif Fazliu e ka aprovuar propozimin e avokatit Lubishtani për nxjerrjen e ekspertizës së komunikacionit, ku eksperti do të ketë detyrë të vërtetojë përgjegjësin e aksidentit.

Seanca e radhës do të mbahet pas përpilimit të ekspertizës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 21 qershor 2021, afër pompës së benzinës në Viti më 4 shkurt 2021, ka ndodhur një aksident ku paditësi, si pasagjer ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Në padi thuhet se paditësi ka qenë si bashkëudhëtar në automjetin e markës “Sab”, i regjistruar tek kompania e Sigurimit “Sigkos”, të cilin e ka drejtuar vozitësi N.S. e i cili është aksisdentuar nga një automjet i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Tutje në padit thuhet se paditësi ka pësuar lëndime të shumta trupore dhe si pasojë e tyre, paditësi ka pësuar dhimbje fizike të të gjitha intensiteteve, frikë, ka pasur nevojë për përkujdesje nga personat e tjerë si dhe ka pasur shpenzime për terapinë fizike dhe shpenzime të tjera mjekësore

Paditësi si bashkëudhëtar-palë e tretë i është drejtuar me kërkesë dy të paditurave Kompanisë së Sigurimeve “Sigos” dhe BKS-së, për kompensim, të cilat e kanë refuzuar kërkesën e paditësit.

Mbi këtë bazë, paditësi Afrim Xhela, po kërkon nga gjykata që të obligohet e paditura KS “Sigkos” dhe Byroja Kosovare e Sigurimit që paditësit t’ia kompensojë shumën prej gjithsej 5 mijë e 500 euro në emër të dëmit material dhe jomaterial si dhe të detyrohet e njëjta që t’i paguajë shpenzimet gjyqësore dhe të përfaqësimit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë