Caktohet ekspertiza mjekësore në rastin ku paditësi po kërkon t’i njihet statusi i invalidit të luftës

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Gzime HASHANI dhe Premton SADIKU

Mars 17, 2021

Prishtinë – Është caktuar nxjerrja e ekspertizës mjekësore në rastin ku Sadat Cakiqi po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative anulimin e vendimeve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

MPMS me vendimet e datës 6 prill 2018 kishte refuzuar kërkesat e paditësit me të cilat ai kishte kërkuar t’i njihet statusi i invalidit të luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo me një vendim të tillë nuk po pajtohet paditësi i cili ka inicuar konflikt administrativ ndaj të paditurës, me kërkesën që gjykata të vendos në mënyrë meritore.

Me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike, ai i propozoi gjykatës që të caktoi nxjerrjen e provës përmes ekspertizës me të cilën do të konstatohet gjendja e tij shëndetësore.

Gjykata mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e paditësit për caktimin e ekspertizës mjekësore e cila do të përpilohet nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Gjatë kësaj seance ai deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkon nga gjykata që t’i njoh atij statusin e invalidit të luftës.

Ndryshe përmes padisë Sadat Cakiqi po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të anuloj vendimet e MPMS-së, me të cilat i ishin refuzuar kërkesat me të cilat ai kishte kërkuar t’i njihet statusi i invalidit të luftës.

Në padi thuhet se vendimi i kontestuar është nxjerr në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe se paditësi plotëson kushtet për t’iu njohur ky lloj i pensionit.

Paditësi po kërkon nga gjykata që vendimet e atakuara në këtë konflikt administrativ të anulohen dhe t’i njihet statusi i invalidit të luftës. /BetimipërDrejtësi