Caktohet eksperti financiar në çështjen civile për kompensim dëmi ndaj kompanive “Sedefi Plast” dhe “Sedefi Comerc”

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Qershor 24, 2020

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, mori aktvendimin për caktimin e ekspertit  financiar në çështjen civile për kompensim dëmi, për çka Arbër Kastrati ka paditur kompanitë “Sedefi Plast” dhe “Sedefi Comerc”.

Paditësi Arbër Kastrati ka kërkuar nga kompanitë e lartpërmendura që t’ia kompensojnë pagat e papaguara nga 1 marsi 2009 deri me 1 mars 2011, duke e përfshirë edhe pagesën e punës jashtë orarit dhe pushimeve vjetor.

Gjyqtarja e çështjes, Merita Baloku vendosi për caktimin e ekspertit Gani Gashi, për nxjerrjen e ekspertizës financiare në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktvendimi, detyrë e ekspertit është që ta paraqesë faktin se të paditurit a e kanë përmbushur në tërësi pagesën ndaj paditësit Kastrati për punën jashtë orarit, punën e natës, pushimin vjetor, punën përtej orarit gjatë festave dhe trustin pensional.

Gjyqtarja Baloku deklaroi se vendimi është marrë pas kërkesës së Gjykatës së Apelit për një gjë të tillë.

Ndryshe në seancën e së mërkurës është dëgjuar edhe eksperti financiar Avdi Shala, i cili deklaroi se mbetet pranë ekspertizës së punuar me 21 prill 2014.

Gjyqtarja Baloku konstatoi që seanca e radhës do të caktohet pasi që të pranohet ekspertiza financiare.

Ndryshe gjykimi është mbajtur në mungesë të përfaqësuesve të kompanive të paditura, për të cilët gjyqtarja tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Kurse në seancë prezent ishte paditësi Arbër Kastrati dhe përfaqësuesi i tij, avokati Osman Lajçi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me 28 prill 2014, e kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e Arbër Kastratit, duke e detyruar kompaninë e paditur “Sedefi Comerc”, që t’ia kompensoj paditësit shumën prej 3966.20 euro, kurse kompaninë “Sedefi Plast” e kishte detyruar që paditësit t’ia kompensoj shumën prej 1.297,12 euro.

Lidhur me këtë vendim, paditësi dhe përfaqësuesit e kompanive të paditura kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me 22 nëntor 2018 kishte nxjerr aktvendim, me të cilin i kishte aprovuar ankesat e palëve në fjalë.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm,  pasi që dispozitivi dhe arsyetimi i aktgjykimit janë në kundërthënie me njëra-tjetrën.

Sipas aktvendimit në fjalë, gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar nga shkalla e parë, duke mos i marrë parasysh të gjitha provat që janë gjendur në shkresat e lëndës dhe duke mos i marrë për bazë deklaratat e palëve.

Në bazë të këtyre vlerësimeve, Apeli e ka obliguar Gjykatën Themelore në Pejë që t’i evitojë të metat e theksuara në aktvendim dhe nëse e njëjta nuk mund ta provoj faktin nëse e paditura i ka përmbushur obligimet ndaj paditësit si në kërkesëpadi, atëherë të caktoj një ekspert, me qëllim që të vërtetohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendja faktike.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar dhe padisë së precizuar, paditësi Arbër Kastrati ka kërkuar nga të paditurat, kompanidë “Sedefi Comerc” dhe “Sedefi Plast” që ta kthejnë në vendin e punës, dhe t’ia kompensojnë pagat prej 4.500 euro.

Në padi thuhet që paditësi ka punuar tek këto dy firma nga 1 marsi 2009, kontrata i është shkëputur me 14 shtator 2011 dhe asnjëherë nuk i është paguar pushimi vjetor, puna gjatë ditëve të festave dhe as orët e punës jashtë orarit.

Andaj përmes padisë, Arbër Kastrati ka kërkuar nga kompanitë e lartpërmendura që t’ia kompensojnë pagat e papaguara nga 1 marsi 2009 deri me 1 mars 2011, duke e përfshirë edhe pagesën e punës jashtë orarit dhe pushimeve vjetor.  /BetimipërDrejtësi