CAKTOHET EKSPERT FINANCIAR NË RASTIN NDAJ INKASANTIT TË UJËSJELLËSIT NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – I pandehuri Hafir Gallopeni dhe mbrojtësi i tij, Asman Hoxha, kanë angazhuar ekspertin financiar Qemajl Smajli, për të bërë ekspertizën e provave që mbështesin aktakuzën.

Këto prova, sipas prokurores së rastit, Ervehe Gashi, ngritin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari me veprimet e tij, ka dëmtuar ujësjellësin “Hidroregjionin Jugor” në Prizren, në vlerë prej 20 mijë euro.

Rasti është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prizren, ku të enjten pritej të vazhdonte shqyrtimi, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi që paraprakisht avokati i të pandehurit së bashku me ekspertin janë takuar me prokuroren e rastit dhe kanë iniciuar një ekspertize financiare të tyre.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, pasi ka marrë njoftim nga prokurorja dhe avokati për një veprim të tillë, ka shtyrë shqyrtimin për 26 shtator 2016, në ora 09:30.

I akuzuari dyshohet se duke punuar si inkasantë në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, ka përvetësuar para në shumë rreth 20 mijë euro.

Gjykimi zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur fillimisht ndaj Hafir Gallopenit, Faik Berishës, Isen Ramanajt dhe Dardan Gashit.

Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procedura vazhdon.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë