Caktohet dalja në terren në kontestin për vërtetim pronësie në Viti

ll1 (5)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Qershor 11, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, në seancën e së martës, ka aprovuar propozimin e paditësit Blerim Bekteshi, për daljen në terren, në rastin për vërtetim pronësie, ku i paditur është Bajram Drainca.

Paditësit Bekteshi, në këtë seancë, i propozoi gjykatës daljen në terren me qëllim të identifikimit të përmasave dhe shtrirjes së paluajtshmërive kontestuese.

Ai po ashtu  e rezervoi të drejtën që në cilëndo fazë të procedurës t’i propozojë gjykatës dëgjimin e dëshmitarëve të cilët kanë njohuri për rastin e shitblerjes së pronës kontestuese, dhe atë Skender Sylejmani, Vehbi Tahiri dhe Zeqir Selimi.

Ky propozim, nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesi i përkohshëm i të paditurit Drainca, avokati Ajvaz Islami.

Por, ai shtoi se e kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë  e paditësit për arsye se nga shkresat e lëndës nuk ka asnjë provë që sipas tij, vërteton se në mes paditësit dhe të paditurit ka pasur ndonjë raport juridiko-civil.

Bazuar në këtë, gjykatësi i rastit Raif Fazliu, mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e palës paditëse, me ç’rast  do të caktohet një ekspert gjeodet, në mënyrë që të bëjë identifikimin, shtrirjen dhe përkufizimin e ngastrave kadastrale numër 927-0, 928-0 dhe 929-0, në zonën kadastrale Gërmovë.

Dalja në terren, është caktuar të bëhet 17 qershor 2019, në ora 10:00, me ç’rast palët prezente  janë njoftuar se ky komunikim do t’u shërbejë në vend të ftesave të rregullta, ndërsa për ekspertin gjeodet, gjykatësi Fazliu, tha se gjykata do ta caktojë dhe ftojë me vendim të veçantë.

Ndryshe, paditësi Bekteshi së bashku me padinë kishte bërë edhe propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, e cila ishte aprovuar nga gjykata dhe e cila ende është në fuqi.

Sipas padisë së ushtruar më 17 nëntor 2017, Blerim Bekteshi, kërkon vërtetimin e së drejtës se pronësisë sipas bazës juridike të shitblerjes së paluajtshmërive nr.927-0, sipërfaqe prej 951 m2, nr.928-0, në sipërfaqe prej 1732 m2 dhe palujtshërinë numër 929-0, në sipërfaqe prej 7332 m2, zona kadastrale Gërmovë.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi Blerim Bekteshi pretendon se para viti 1999, këto palujtëshmëri i  ka blerë nga i padituri Bajram Drainca, ku ka pasur një shtëpi të vjetër, e cila kufizohej me këto parcela dhe e cila është djegur nga forcat serbe.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi i ka paguar dhe e ka përmbushur në tërësi çmimin kontraktues dhe nuk posedon kontratë me shkrim ngase verbalisht janë dakorduar, pasi që në mes shitësit dhe blerësit ka ekzistuar raporti i mirë fqinjësor, dhe që nga ajo kohë e deri më tani i shfrytëzon dhe i punon pa u penguar nga askush. /Betimipërdrejtësi