Caktohet dalja në terren në kontestin për vërtetim pronësie në Mitrovicë

Nora Kelmendi- Rasti Kadri Rexhepi- Raporti per Web- 11 tetor 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Tetor 11, 2018

Mitrovicë – Gjykatësi i rastit Faton Ademi, këtë të enjte, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ka aprovuar propozimin për daljen në terren, të propozuar nga përfaqësuesi i paditësit, Kadri Rexhepi, avokati Safet Voca.

Avokati Voca, në seancën e së enjtes, tha se dalja në vendshiqim, sipas tij duhet të bëhet me qëllim të identifikimit të përmasave dhe shtrirjes së paluajtshmërisë kontestuese.

Ky propozim, nuk u kundërshtua nga përfaqësuesi i të paditurës së parë, Komunës së Mitrovicës, avokati publik komunal, Avdi Muzliukaj, dhe as nga përfaqësuesi i përkohshëm i të paditurve, Alban, Arben dhe Brahim Haziri, avokati Sheremet Ademi.

Bazuar në këtë, gjykatësi i rastit Faton Ademi, mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e palës paditëse, me ç’rast eksperti gjeodet Nuhi Mehmeti, u caktua të bëj identifikimin, shtrirjen dhe përkufizimin e paluajtshmërisë kontestuese, e po ashtu të dorëzojë edhe historiatin e pronës.

Dalja në terren, u caktua të bëhet 29 tetor 2018, me ç’rast palët prezente u njoftuan nga Gjykata se ky komunikim do tu shërbej në vend të ftesave të rregullta.

Ndryshe, sipas padisë të parashtruar më 10 shkurt 2016, Kadri Rexhepi si paditës, po kërkon nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, që të njëjtin ta njohë si pronar të ligjshëm për paluajtshmërinë të cilën thuhet se e kishte blerë nga Xhevat Haziri, me 13 prill të vitit 2000, e që më vonë ka kuptuar se e njëjta figuron në emër të Komunës së Mitrovicës.

Përmes padisë, paditësi Kadri Rexhepi, po kërkon të aprovohet e njëjta si e bazuar, dhe të detyrohen palët e paditura në këtë rast, Komuna e Mitrovicës, dhe Alban, Arben dhe Brahim Haziri që t’ia njohin të drejtën në pronësi dhe t’i lejohet regjistrimi si pronar i ligjshëm i kësaj paluajtshmërie e cila gjendet në Mitrovicë.