Caktohet 1 muaj arrest shtëpiak ndaj të dyshuarës për aksidentin ku u lëndua rëndë një grua

Foto nga seanca degjimore, 20 nentor
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 20, 2020

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji të dyshuarës për aksident trafiku, M.Ll.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, e ka përpiluar prokurori Arjanit Salihu, ndërsa në gjykim e ka përfaqësuar prokurori Fatmir Behrami.

“Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik nga neni 370 par.8 lidhur me par.6 dhe par.1 të KPRK-së. Prokuroria kërkon që të njejtës t’i caktohet masa e paraburgimit në bazë të nenit 187 par.1 pika 1.1 nënpika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, ka deklaruar prokurori Behrami.

Sipas prokurorit Behrami, prokuroria ka vlerësuar që masa e vetme për sigurimin e pranisë së të pandehurës në procedurë penale dhe zbatimin e suksesshëm të kësaj procedure është paraburgimi.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarës M.Ll, sipas autorizimit, avokati Mahmut Hoti, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturës së tij të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Me konstatimet e mbrojtësit të saj, është pajtuar edhe e dyshuara në fjalë, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj saj, si dhe duke shprehë keqardhje për rastin.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Gazmend Bahtiri, ka caktuar për të dyshuarën masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 18/11/ 2020 dhe do të zgjasë deri më 18.12.2020.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 19.11.2020, M.Ll, dyshohet se me datën 18.11.2020, rreth orës 18:14, në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e saj VW Golf IV, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me nenin 41 të Ligjit nr.05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor, ashtu që ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me të kaluar restaurant “Agnesa”, ka ndërrmarrë një veprim pa u siguruar mirë se me një veprim të tillë mund të shkaktoj aksident, ashtu që nuk e ka pasur kujdesin e duhur ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, ku me anën e djathtë të pjesës së përparme, e ka goditur këmbësoren, tani të dëmtuarën J. V., e cila ishte duke kaluar rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë, me ç’rast e dëmtuara si pasojë e goditjes ka dëmtime të rënda trupore.

Me këtë, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370 par.8 lidhur me par.6 dhe par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi