Caktohen tri ekspertiza në rastin ku paditësi po kërkon 190 mijë euro kompensim dëmi për aksidentin në trafik

47572860_262057094467199_4631114844156723200_n (3)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Maj 15, 2019

Gjakovë – Ekspertiza të psikiatrisë, ortopedisë dhe komunikacionit pritet të bëhen në rastin ku paditësi Lush Mala, po kërkon 190 mijë euro kompensim dëmi nga kompania e sigurimeve “Sigma”.

Në seancën përgatitore të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, i autorizuari i paditësit, avokati Nikë Shala deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke i propozuar Gjykatës që e njëjta të aprovohet si e bazuar.

Ai ka thënë se sa i përket lëndimeve të shkaktuara në aksident, përkatësisht dhimbjeve fizike dhe frikës së shkaktuar i propozon Gjykatës që të caktohet një ekspert i psikiatrisë dhe një i ortopedisë.

Në deklarimin e tij, i autorizuari i të paditurës, Dardan Morina deklaroi se fakti se ka ndodhur aksidenti është i pakontestueshëm për shkak se ka vendim të Gjykatës në çështjen penale, mirëpo sipas tij, nuk ka asnjë provë me të cilën vërtetohet kontributi në pasojat e marra në këtë aksident, duke i propozuar Gjykatës që të caktohet një ekspertizë e komunikacionit.

Më pas, gjykatësi Besnik Bislimaj i ka aprovuar propozimet e palëve dhe i njëjti ka caktuar ekspertin Arber Tolaj, si ekspert të ortopedisë, ekspertin Naim Fanaj si ekspert të psikiatrisë dhe ekspertin Yll Koshi, si ekspert të komunikacionit.

Seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës nga ana e ekspertit të komunikacionit.

Ndryshe, sipas padisë së parashtruar më 25 janar 2018, paditësi Lush Mala e ka paditur kompaninë e sigurimeve “Sigma” Interalbania Vig, për kompensim dëmi për aksidentin në trafik.

Sipas padisë, më 24 mars 2017, rreth orës 18:45, në rrugën magjistrale Gjakovë-Ponoshec, pikërisht në fshatin Korenicë të Gjakovës, ka ndodhur aksidenti i trafikut ku janë përfshirë një automjet kombibus “Mercedes”, të cilin e drejtonte Burim Zeneli dhe çiklistit Lush Mala.

Siç thuhet në padi, deri te aksidenti ka ardhur me fajin e drejtuesit të automjetit të siguruar te e paditura, në atë mënyrë që derisa drejtuesi i automjetit në ditën kritike kishte qenë duke vozitur automjetin e tij përgjatë rrugës Gjakovë-Ponoshec, dhe kur ka arritur në hyrje të fshatit Korenicë, nga pakujdesia e shpejtësisë së lëvizjes dhe njëkohësisht duke mos pasur kujdes të shtuar në rrjedhën e trafikut, para tij papritmas në pjesën e përparme ballore të anës së djathtë e godet drejtuesin e biçikletës, i cili ishte në lëvizje në skaj të rrugës në shiritin e djathtë në drejtim të lëvizjes.

Sipas padisë, si pasojë e aksidentit në fjalë, paditësi Mala ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku fillimisht është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjakovë, dhe për shkak të gjendjes shumë të rëndë është transferuar në QKUK në Prishtinë, ku ka qëndruar në gjendje kome, dhe për fat të keq gjendja shëndetësore e paditësit nuk ka pasur përmirësime dhe në atë gjendje të tillë kome është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “UNA”, në Beograd, ku ka qëndruar prej 6 prillit 2017, deri më 9 maj 2017.

Në bazë të padisë, nga fletëlëshimi i lëshuar nga Spitali “UNA” vërtetohet se i njëjti për fat të keq është pranuar pa vetëdije, dhe pastaj janë ndërmarrë të gjitha veprimet intesive që gjendja e tij të përmirësohet, ku ka qëndruar 35 ditë dhe se i njëjti ka paguar 44.375 euro në Spitalin UNA.

Andaj, sipas padisë po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Gjakovë që të nxjerrë aktgjykim me anë të së cilit do të aprovohet kërkesëpadia dhe do të detyrohet e paditura, kompania e sigurimeve “Sigma” që në emër të kompensimit të dëmit t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 190 mijë euro paditësit Mala, me kamatë ligjore nga dita e shkaktimit të aksidentit e gjer në pagesën definitive. /Betimipërdrejtësi