Caktohen tri ekspertiza mjekësore në kontestin mes familjes Bicaj dhe kompanisë “Kosova e Re”

20190809_101925
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Gusht 9, 2019

Istog Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka aprovuar propozimin e të autorizuarit të palës paditëse, avokatit Besnik Nikqi, që në seancën e radhës të bëhen tri ekspertiza mjekësore në kontestin gjyqësor që po zhvillohet në mes familjes Bicaj dhe kompanisë së  sigurimeve “Kosova e Re”, si palë e paditur.

Një aksident trafiku që kishte ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, më 27 janar të vitit 2016, kishte lënë Nushe Loxhaj-Bicajn të palëvizshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për lëndimet e pësuara, ajo dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016, kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumën prej rreth një milion euro.

Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti, ishte e siguruar në këtë kompani.

Në seancën e së premtes, janë caktuar të bëhen tri ekspertiza mjekësore, nga lëmi i fiziatrisë, interno-kardiologjisë dhe nga lëmi i pulmologjisë, pasi që gjykatësi Shemsedin Haxhijaj, e ka aprovuar propozimin e avokatit Nikqi, i cili me parashtresën e dorëzuar më 8 gusht 2019, kishte propozuar caktimin e këtyre ekspertizave.

Një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar përfaqësuesja e palës së paditur, Nazlie Beka.

“Sa i përket parashtresës së paditëses të datës 8 gusht 2019, për caktimin e ekspertizave mjekësore, nuk e kontestojmë një propozim të tillë. Por, është kërkesë e jonë që gjykata të këtë kujdes në përzgjedhjen e ekspertëve, që mos të jenë emra që kanë marrë pjese në trajtim mjekësor të mëhershëm të aksidentuarës”, ka deklaruar ajo.

Gjykatësi Shemsedin Haxhjiaj tha se për ekspert nga lëmi i fiziatrisë caktohet Dr. Ahmet Blakaj, nga lëmi i interno-kardiologjisë caktohet Dr. Luan Rexhbogaj, si dhe nga lëmi i pulmologjisë, cekohet Dr. Brahim Beqiraj.

Ndër të tjera, detyrat e eksperteve, sipas gjykatësit Shemsedin Haxhijaj, janë që të deklarohen për trajtimin intensiv për rastin e të aksidentuarës, NusheLoxhaj-Bicaj, në lidhje me mirëmbajtjen e ekstremiteteve dhe muskulaturës nga aspekti fiziatrik, mirëmbajtjen e rrugëve të frymëmarrjes, mbikëqyrjen e sistemit kardiovaskular dhe problemeve të tjera të organeve të brendshme.

Ndryshe, gjykata në seancën e kaluar kishte caktuar që të dëgjohet njëri nga ekspertët e Universiteti të Prishtinës, për të dhënë sqarim lidhur me super ekspertizën, por Gjykata ka konstatuar se në ftesën e dorëzuar ekspertit të Fakultetit Teknik, është kthyer me konstatimin se i njëjti institucion është në pushim deri në muajin shtator.

Mbrojtësi i paditësve, avokati Besnik Nikqi, në lidhje me propozimin e tij nga seanca paraprake për nxjerrjen e aktgjykimit të pjesshëm, kërkoi që kjo prapashtesë të shqyrtohet në momentin kur të përfundohet me dëgjimin e përfaqësuesit nga ekspertët e komunikacionit.

“Pas kësaj presim përfundimisht që pas tri ekspertizave çështja e përgjegjësisë për shkaktimin e dëmit do të absorbohet dhe në këtë mënyrë të konsiderohet i bazueshëm propozimi ynë për nxjerrje të aktgjykimit të pjesshëm”, tha ai.

E autorizuara e palës së paditur, Nazlie Beka, deklaroi se mbeten pranë deklarimeve nga seancat e kaluara.

“Edhe tani mbetëm pranë propozimit të bërë më parë, që të vi në seancë për sqarim njëri nga ekspertët e komunikacionit”, tha ajo.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 6 shtator 2019, nga ora 10:00.

Historiku i procesit gjyqësor:

Për aksidentin e ndodhur më 27 janar të vitit 2016 dhe për lëndimet e pësuara nga ky aksident, Nushe Loxhaj-Bicaj dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016, kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumë prej rreth një milion euro.

Paraprakisht, para se të ushtronte padi për kompensimin e dëmeve lidhur me këtë rast, bashkëshorti i të dëmtuarës, Xhavit Bicaj ishte drejtuar në kompaninë “Kosova e Re”, mirëpo e njëjta kishte refuzuar ta kompensonte atë në shumën e kërkuar.

Ndërsa, për shkak të këtij refuzimi, Bicaj, ishte udhëzuar që të drejtohet në gjykatë, duke ushtruar padi.

Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti,  ishte e siguruar në këtë kompani, ndërsa lënda i ishte ndarë për ta gjykuar gjykatësit Daut Demiraj.

Ky rast është përshkuar me zvarritje dhe me shkelje ligjore e procedurale që nga koha kur është parashtruar kjo padi.

Fillimisht, ky proces gjyqësor kishte nisur më 13 janar të vitit 2017, në të cilën seancë, pala e paditur, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, kishte kërkuar që Dega e Istogut të shpallet jo-kompetente për të gjykuar këtë rast, me arsyetimin se paditësja nuk është me vendbanim në Istog, por në Prishtinë, kërkesë e cila ishte refuzuar nga gjykatësi Daut Demiraj.

Më pas, në seancën e 3 shkurtit 2017, paditësit kishin sjellë si provë një certifikatë të vendbanimit të Nushe Loxhaj-Bicaj, në të cilën evidentohej se ajo banon në fshatin Banjë të Istogut.

Gjatë së njëjtës seancë, e paditura kishte kërkuar përjashtimin e gjykatësit Demiraj nga gjykimi i këtij rasti me pretendimin për njëanshmëri.

Mirëpo, kërkesa në fjalë ishte refuzuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, me pretendimin se pala e paditur, kërkesën lidhur me çështjen e kompetencës është dashur ta kërkojë më së largu deri në momentin e përgjigjes në padi, të cilën gjë sipas tij, nuk e ka bërë e paditura.

Pasi ishin refuzuar këto kërkesa dhe procesi do të mund të vazhdohej me shqyrtim, në seancën e 28 marsit të vitit 2017, pas propozimeve të palëve, gjykata kishte vendosur që seancën gjyqësore ta caktojë për 8 maj 2017, në mënyrë që t’i dëgjojë ekspertët e angazhuar për zbardhjen e këtij rasti.

Në atë seancë ishte paraparë që në pjesën e paradites të dëgjohej eksperti rrugor dhe ai i arkitekturës, ndërsa në pjesën e pasdites ekspertët mjekoligjorë.

Megjithatë, seanca në fjalë nuk ishte mbajtur, kjo për shkak se gjykatësi Daut Demiraj, kishte ndërprerë procedurën në këtë lëndë, pasi pala e paditur, “Kosova e Re”, e kishte njoftuar atë se tashmë kishte filluar një hetim ndaj bashkëshortit të Nushe Loxhaj-Bicaj, Xhavit Bicaj, që ishte njëri nga paditësit, me pretendimin se ka kryer disa vepra penale, të cilat ndërlidhen me rastin kontestues që gjykohej nga ai.

Për ta marr një vendim të tillë, gjykatësit Demiraj. i kishte mjaftuar njoftimi nga pala e paditur, pa kërkuar asnjë informacion nga instancat tjera, nëse një gjë e tillë ishte e vërtetë.

Përveç kësaj, vendimi për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor nuk ndërlidhej me çështjen kontestuese, e cila ishte objekt i shqyrtimit.

Në këtë vendim të gjykatësit nuk përmendej asnjë provë, e cila do të arsyetonte kallëzimin penal, e për me tepër nuk sqarohej nëse për këtë është nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Xhavit Bicajt.

Sidoqoftë, ndaj këtij vendimi, pala paditëse kishte ushtruar ankesë në shkallën e dytë, me ç’rast Gjykata e Apelit, më 18 prill 2018, e kishte konsideruar me shkelje të dispozitave ligjore vendimin e shkallës së parë dhe kishte kërkuar nga gjykatësi që të bëjë verifikimin e kushteve për të thirrur seancë përgatitore ose shqyrtim kryesor të çështjes, pas të cilit, sipas tyre, do të merrej një vendim i ligjshëm.

Sipas instancës së dytë, gjykatësi nuk është siguruar fare nëse për këtë rast ka apo jo një aktvendim për fillimin e hetimeve.

“Në momentin kur gjykata ka nxjerrë aktvendimin e atakuar, për ndërprerje të procedurës pushimin e gjykimit, nuk e ka pasur të provuar asnjë nga faktet e theksuara më lartë siç përcaktohet me këto dispozita ligjore, nuk ka pasur të provuar faktin sa i përket kërkesës së të paditurës për ndërprerjen e procedurës kontestimore. Të njëjtës kërkesë nuk iu është bashkangjitur asnjë provë e vetme me të cilën do të provohen pretendimet e saja lidhur me ndërprerjen e procedurës, përkundër njoftimit, se kundër njërit nga paditësit Xhavit Bicaj ka kallëzim penal dhe në rastin konkret aktvendimi i atakuar mbështetet vetëm mbi bazën e njoftimit të së paditurës dhe se në shkresat e lëndës nuk ka prova se është marr vendim për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe si rezultat i kësaj, aktvendimi i atakuar është nxjerr me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragraf 2 pika i) e LPK-së, sepse me ndërprerjen e procedurës me aktvendimin e atakuar palës paditëse ju ka pa mundësuar shqyrtimi i çështjes së tyre në gjykatë”, thuhet në një pjesë të vendimit të Apelit.

Më 7 nëntor 2018, është publikuar emisioni “Betimi për Drejtësi”, që ishte titulluar “Beteja për Drejtësi”, ku kishte hulumtuar këtë rast dhe kishte raportuar se një vendim i kundërligjshëm nga gjykatësi i çështjes, Daut Demiraj, kishte bërë që gjykimi të pezullohet për më shumë se një vit.

Por, pas këtij hulumtimi të “Betimit për Drejtësi”, gjykatësi Demiraj kishte bërë kërkesë te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, që të përjashtohet nga kjo çështje penale, me arsyetimin e mënjanimit të çfarëdo rrethane që mund të vejë në dyshim paanësinë e gjykatës dhe ruajtjes së objektivitetit në vendimmarrje.

Në këto rrethana, kjo lëndë i është ndarë gjykatësit Shemsedin Haxhijaj. /BetimipërDrejtësi