Caktohen gjyqtarët në dhomën e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 289-të, të mbajtur të enjten, ka zgjedhur 7 gjyqtarë për dhomën e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale.

Gjyqtarët të cilët janë zgjedhur nga Këshilli për të shërbyer në dhomën e shkallës së parë janë: Hasan Kryeziu, Vlora Pacolli, Verona Dibra, Alajdin Tërshnjaku, Arnis Dumani, Gent Bekeri, dhe Fisnik Nuli. raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mandati i tyre do të fillojë nga 1 korriku 2022.

Ndërsa, gjyqtarët Rexhep Gashi dhe Fatos Sejdiaj nuk ishin rekomanduar nga Paneli për votim në Këshill.

Konkursin e brendshëm për nëntë pozita të lira për gjyqtarë në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovë, KGJK e kishte shpallur më 4 mars 2022. 

Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve përbëhej nga kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, në cilësi të kryesuesit, ndërsa anëtarë të tjerë të këtij paneli janë tre anëtarët e KGJK-së: Qerim Ademaj, Teuta Ibrahimi dhe Drita Rexhaj, si dhe gjykatësi nga radhët e Gjykatës Supreme, Nenad Lazic.

Ndryshe, për këto pozita kanë kandiduar 11 gjyqtarë të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës, mirëpo pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar procesit të intervistimit, dy prej tyre janë tërhequr nga kjo garë.

Ndërsa, gjyqtarët të cilët ishin tërhequr nga gara ishin gjyqtarët Bajram Miftari dhe Përparim Zeka.

Procesi i intervistimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Komerciale ishte monitoruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) deri në fazën finale./BetimipërDrejtësi 

Shënim: Të gjitha takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) monitorohen nga “Betimi për Drejtësi”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë