Caktohen ekspertiza mjekësore në rastin e padisë për kompensim dëmi nga aksidenti në trafik

unnamed
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Nëntor 7, 2019

 


Prishtinë – Ekspertizë mjekësore do të bëhet në rastin ku paditësi Arbër Ademi, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Siguria”, kompensim dëmi pas aksidentit në trafik, që kishte ndodhur në korrik të vitit 2013, në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Në padi thuhet se nga ky aksident, tani paditësi, në cilësi të ngasësit të motoçikletës, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Për shkak se automjeti në momentin e aksidentit, ka qenë i siguruar te “Siguria”, ai ka ushtruar padi ndaj kësaj kompanie, nga e cila kërkon që të kompensohet në shumë prej 900 eurosh,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Caktimi i ekspertizës mjekësore nga lëmia e ortopedisë-traumatologjisë dhe psikiatrisë, është bërë në seancën e së enjtes, me propozimin e përfaqësueses së paditësit Ademi, avokates Fatmire Mehmeti, pasi që siç tha ajo, baza juridike nuk është kontestuese.

Ajo gjatë seancës i ka dorëzuar gjykatës disa dokumente shtesë, ku sipas saj, do t’i shërbejnë ekspertëve mjekësorë për përpilimin e ekspertizave, pasi që siç tha ajo, paditësi gjatë aksidentit kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar as përfaqësuesi i të paditurës, Labinot Buzuku, i cili tha se baza juridike nuk është kontestuese, por sipas tij, kontestuese mbetet pjesërisht lartësia.

Më pas, gjykatësja Saranda Bogaj-Sheremeti, e ka aprovuar propozimin e përfaqësueses së paditësit që të bëhet nxjerrja e provës përmes ekspertizës mjekësore nga lëmia e ortopedisë-traumatologjisë dhe psikiatrisë.

Ndërsa, për detyrat e ekspertëve ajo tha se do të përpilojë aktvendim të veçantë.

Sipas padisë së ushtruar më 12 dhjetor 2013, paditësi Arbër Ademi, po kërkon nga e paditura, kompania e sigurimeve “Siguria”, kompensimin e dëmit material dhe jo material, shumën prej 900 euro dhe atë me kamatë ligjore prej 8%.

Sipas padisë, më 15 korrik 2013, në rrugën Prishtinë-Podujevë, ka ndodhur aksident trafiku, ku drejtuesi i motoçikletës, tani paditësi Arbër Ademi, ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç thuhet në padi, automjeti i cili ka qenë shkaktar i aksidentit, ishte i siguruar te kompania e sigurimeve ‘Siguria”.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësi Ademi, po kërkon nga gjykata që të detyrohet kompania e sigurimeve “Siguria”, që atij t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material, të shkaktuar në aksident trafiku më 15 korrik 2013. /BetimipërDrejtësi