Caktohen ekspertiza mjekësore në rastin e padisë për kompensim dëmi nga aksidenti në trafik

IMG_0746
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Korrik 11, 2019

Prishtinë – Tri ekspertiza mjekësore do të bëhen në rastin ku Hajriz Grajqevci, e ka paditur kompaninë e sigurimeve “Sigma”, nga e cila po kërkon kompensimin e dëmit nga aksidenti në trafik.

Caktimi i ekspertizës së psikiatrisë, ortopedisë dhe neurokirurgjisë, është bërë me propozimin e përfaqësuesit të paditësit, avokatit Rrahman Kastrati.

Një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar përfaqësuesi i të paditurës Bali Mahmuti, sipas të cilit do të vërtetohet natyra e lëndimeve trupore dhe pasojat të shkaktuara nga aksidenti në trafik i viti 2013.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesi i paditësit që të sigurohen provat nga procedura paraprake me të cilat do të vërtetohej rasti.

Ai ka pasur vërejtje edhe për shkresat e lëndës ku sipas tij, nuk ishte pajisur me të gjitha, andaj ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë përfaqësuesin e paditësit që t’ia dorëzojë provat.

Gjithashtu, ai ka propozuar gjykatës që në rastin e ekzaminimit mjekësor të ftohet edhe përfaqësuesi i të paditurës, me arsyetimin se ka kaluar kohë e gjatë prej momentit të aksidentit.

Gjykatësi i rastit Hysni Ismaili, e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit që të bëhet nxjerrja e provës përmes ekspertizës mjekësore nga lëmia e psikiatrisë, ortopedisë dhe neurokirurgjisë që çështja kontestuese të vërtetohet me ekspertizë.

Ai gjithashtu e ka obliguar përfaqësuesin e paditësit që në afat prej tri ditësh t’ia dorëzojë provat edhe palës së paditur.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 30 qershor 2014, paditësi Hajriz Grajqevci, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Sigma”, kompensimin e dëmit të shkaktuar nga aksidenti në trafik.

Sipas padisë, më 2 nëntor 2013, në rrugën Sllatinë-Bardhi i Madh, ka ndodhur aksident komunikacioni në të cilin paditësi kishte marr lëndime trupore.

Siç thuhet në padi aksidentin e kishte shkaktuar ngasësi i automjetit që ishte siguruar në kompaninë e sigurimeve “Sigma”, ku paditësi kishte kërkuar kompensimin e dëmit jo material, mirëpo nga e paditura kishte marr një ofertë tejet simbolike me të cilën nuk ishin pajtuar.

Andaj, ai po kërkon nga gjykata që ta obligojë kompaninë e sigurimeve “Sigma” që t’ia bëjë kompensimin e dëmit jo material. /BetimipërDrejtësi