Burgim me kusht ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë se me traktor goditi veturën e të dëmtuarve

47460473_1514157778687761_2754518842259537920_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Dhjetor 5, 2018

Gjakovë – Një vit burgim me kusht, është dënimi të cilin ia ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Tahir Muhadri.

Gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti tha se dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës verifikuese prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale.

Derisa, pala e dëmtuar përkatësisht Selvete dhe Isa Sylmetaj, janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Para se të bëhej shpallja e aktgjykimit, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, i akuzuari Muhadri e pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet.

Ai tha se aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia, duke shtuar se në ditën kritike ka qëndruar në vend të ngjarjes ku edhe e ka lajmëruar personalisht Policinë dhe së bashku me të dëmtuarin Isa Sylmetaj, e kanë bartur të dëmtuarën në Spitalin e Gjakovës.

Prokurori Ismet Tofaj nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Tahir Muhadri po akuzohet se më 12 nëntor 2017, rreth orës 12:00, në fshatin Lipovec, Komuna e Gjakovës, duke drejtuar mjetin e punës përkatësisht traktorin, nga rruga dytësore kyçet në rrugën kryesore e nuk u jep përparësi automjeteve me përparësi kalimi, e vepron në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që rrezikon trafikun publik, jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Në bazë të aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që me të arritur me traktor në rrugën kryesore Bishtazhin-Damjan nxiton e nga rruga e dheut kyçet në rrugën kryesore, e ia merr përparësinë e kalimit automjetit, i cili po qarkullonte në rrugën kryesore, ashtu që me gomën e parë djathtas të traktorit në pjesën ballore e godet automjetin e markës “Opel” tipi “Vectra”, pronë e B.K.

Siç thuhet tutje në aktakuzë, Isa Sylmetaj i shkakton dëm material në automjet si dhe pasagjeres së tij në automjet, të dëmtuarës Selvete Sylmetaj i shkakton lëndime të rënda trupore, të përshkruara në ekspertizën mjekoligjore të Dr. Naim Uka të 7 shkurtit 2018.

Me çka, akuzohet se e ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 parag.8/6 të KPRK-së.