Burgim efektiv dhe gjobë ndaj të pandehurit për posedim me qëllim të shitjes së mariuhanës

Gjykata foto 3 (1)
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Nëntor 20, 2020

Pejë – Tetë muaj burgim efektiv është vendosur nga Gjykata e Pejës si dënim ndaj të pandehurit, Fabian Merdita për shkak se posedoi 78.6 gram mariuhanë të cilat i kishte për shitje.

Një vendim i tillë u dha në Gjykatën Themelore në Pejë nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, pasi i pandehuri në seancën e shqyrtimit fillestar, mbi baza vullnetare, e pranoi fajësinë për veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç dënimit me burgim, i pandehuri u dënua edhe me 300 euro gjobë të cilin detyrohet të paguaj brenda afatit prej 60 ditës pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndaj të pandehurit u konfiskua narkotiku i llojit “mariuhanë”, e cila pas plotëfuqishmërisë do të shkatërrohet ndërsa në emër të shpenzimeve procedurale dhe taksës për mbrojtjen e viktimave i pandehuri detyrohet të paguaj 75 euro.

Të pandehurit i’u ndërpre masa e paraburgimit dhe i njëjti u lëshua në liri deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndryshe, deri te shpallja e aktgjykimit erdhi pasi i pandehuri Fabian Merdita e pranoi fajësinë për veprën penale të narkotikëve, pasi aktakuza me pëlqimin e tij u konsiderua u lexuar.

Pranimin e fajësisë si të ligjshëm e mbështeti prokurorja Valbona Haxhosaj dhe mbrojtësi i të pandehurit Muharrem Hoti.

Avokati Hoti kërkoi nga gjykata që të merr parasysh në llojin dhe lartësinë e dënimit rrethanën lehtësuese si pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, i cili sipas tij konsiderohet si rrethanë posaçërisht lehtësuse, bashkëpunimin e të pandehurit me organet e drejtësisë, pendimin dhe premtimin se asnjëherë nuk do të bien në ndesh me ligjin.

Avokati Hoti e cilësoj si të kundërligjshme propozimin e Prokurorisë për aktgjykimin dënues për posedim të narkotikëve ndaj të mbrojturit të tij për të mbështetur rrethanën rënduese.

Sipas Hotit,  Prokuroria nuk ka marrë për bazë faktin se dënimi i të mbrojturit të tij ishte shlyer nga evidenca penale dhe ishte realizuar rehabilitimi ligjor dhe se i mbrojturi i tij konsiderohet i padënuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 2 nëntor 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, e ngarkon të pandehurin Fabian Merdita se nga data e paspecifikuar e deri më 22 tetor 2020, në mënyrë të paautorizuar e me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ka poseduar substanca narkotike të llojit “mariuhanë”, në peshë totale prej 78 .6 gram.

Sipas aktakuzës i pandehuri e kishte fshehur narkotikun pas përmendores Ardian Krasniqi në Pejë në peshë prej 49 gramëve dhe pas bastisjes së shtëpisë së të pandehurit në dhomën e fjetjes së tij është gjetur narkotiku i llojit “mariuhanë” në peshë prej 29.6 gram  dhe një lule mariuhanë në peshë prej 0.6 gram.

“ Me çka ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi