Burg me kusht për të akuzuarin se dëmtoi bazamentin për vendosjen e kutive të njehsorëve elektrikë

Bashkim Hamza
Author

Raporton: Avni BERISHA

Maj 14, 2019

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me dy muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, Bashkim Hamza.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Hamza nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Hamza, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Anton Hasanaj, sipas të cilit ky akt bazohet në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 5 mars 2018, ndaj Bashkim Hamza, duke e ngarkuar atë me veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 19 shkurt 2018, në mënyrë të kundërligjshme i asgjëson apo i bënë të papërdorshëm pasurinë tjetrit.

Në aktakuzë thuhet se dëmtimi ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari në ditën kritike afër shtëpisë së tij i revoltuar për shkak të një mosmarrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë “Mont Komerce”, lidhur me vendosje e kutive të njehsorëve elektrikë ka dal dhe ka dëmtuar bazamentin për vendosjen e kutive.

Me ç’rast, sipas aktakuzës, kompanisë “Monte Komerce”, i shkakton dëm material në vlerë 125 euro. /BetimipërDrejtësi