Burg me kusht e gjobë ndaj punëtorit të Stacionit të Autobusëve se përvetësoi mbi 12 mijë euro

20200113_090511
Author

Raporton: Medina KADRIU

Janar 13, 2020

Prishtinë – Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj punëtorit të Stacionit të Autobusëve, Orhan Agushi, i akuzuar për përvetësim në detyrë.

Ai akuzohet se shumën prej 12 mijë eurosh nga mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave nuk e ka dorëzuar në arkën e ndërmarrjes, por i ka përvetësuar për vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Isuf Makolli, ka deklaruar se Agushi dënohet me burgim në kohëzgjatje prej një viti, por dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai brenda periudhës prej dy vjetësh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Gjithashtu, ai është dënuar edhe me gjobë në vlerë prej 500 euro, të cilën obligohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, e jo më gjatë se tre muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykatësi Makolli tha se nëse Agushi, dënimin me gjobë nuk dëshiron ta paguajë apo nuk mundet, ky dënim do t’i shndërrohet me burgim, ku një ditë në burg do t’i llogaritet në vlerë prej 20 eurosh.

Agushi është obliguar që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro.

“Janë marr parasysh rrethanat lehtësuese pasi i akuzuari ka kompensuar dëmin pas periudhës kur  ka filluar procedura disiplinore dhe pranimi i fajësisë”, tha gjykatësi Makolli.

Për këtë rast, seanca fillestare ishte caktuar më 20 dhjetor 2016, por në mungesë të të akuzuarit, e njëjta ishte shtyrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, seanca fillestare është mbajtur pas më shumë se katër vjetësh, përkatësisht më 10 janar të vitit 2020.

Përveç që kjo lëndë ishte dashur të priste kaq gjatë për t’u trajtuar, si “sui generis” ka qenë edhe seanca e 10 janarit të këtij viti.

Për akuzën ndaj tij, fillimisht i akuzuari e kishte mohuar fajësinë, por më vonë, pas konsultimit me mbrojtësen e tij, avokaten Saranda Keqekolla, ai ishte deklaruar fajtor.

Por, i akuzuari kishte thënë se këto para atij i ishin vjedhur, dhe shumën e njëjtë e kishte kthyer te institucioni ku punonte.

“Po, po, e pranoj fajësinë”, kishte thënë ai, pas konsultimit me avokaten.

“Unë qysh ju njoftova edhe ma herët, sot jam njoftuar edhe me veprën penale për të cilën ka ardh me u gjyku i dyshuari. I njëjti deklaron se ashtu qysh e përshkruan prokuroria ka qenë situata, mirëpo i njëjti thotë se të hollat ju kanë vjedhur, të hollat ju kanë vjedhur në vendin e punës, dhe meqë ju kanë vjedhur dhe ky i ka kthy ato të holla. Kështu që e pranon akuzën e prokurorisë”, kishte thënë Keqekolla, e cila kërkoi nga gjykata që një pranim i tillë i fajësisë të aprovohet.

Mirëpo, këtë e kishte kundërshtuar prokurori i çështjes, Ilaz Beqiri, i cili kishte thënë se kjo situatë nuk është pranim i fajësisë, sepse nëse paratë i janë vjedhur, sipas tij, do të thotë se i njëjti nuk i ka përvetësuar.

“Gjyqtar nuk është pranim jo. Nëse paret ju kanë vjedh i bjen që ky si ka përvetësu. Ky nuk o pranim i fajësisë avokate. Nëse ky thotë unë si kom marr, por mi ka vjedh dikush, atëherë nuk është pranim i fajit, nuk është përvetësim”, kishte thënë prokurori Ilazi.

Ai kishte shtuar se është në diskrecion të gjykatës të vendos, mirëpo ky sipas tij, nuk është pranim i fajësisë.

“Por, paratë i ka kthy”, kishte shtuar avokatja Keqekolla, duke insistuar që ky pranim i fajësisë të aprovohet nga gjykata.

“S’po di a po na plotësohen kushtet me u aprovu fajësia a jo, meqenëse i akuzuari po thotë që paratë ja kanë vjedh”, kishte thënë prokurori.

“Po se ka përmend kërkun që paret ju kanë vjedh”, kishte thënë gjykatësi Isuf Makolli.

Prokurori Beqiri kishte thënë se ndoshta i akuzuari ka nevojë të konsultohet ende me mbrojtësen e tij, por këtë e kundërshtoi avokatja, e cila tha se janë konsultuar mjaftueshëm.

“Do të thotë, definitivisht pe pranon, atëherë edhe prokurori pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit”, kishte thënë prokurori Beqiri.

Në fillim të seancës, gjykatësi i çështjes i kishte dorëzuar atij aktakuzën, por që e njëjta nuk kishte të bashkëngjitur asnjë nga provat që përmbante lënda.

Me këtë aktakuzë, ishte shërbyer edhe avokatja Keqekolla, e cila kishte arritur me vonesë në seancë dhe pas këshillimit e udhëzoi të mbrojturin e saj ta pranojë fajësinë, të cilën më pas e kishte aprovuar gjykata.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Orhan Agushi, të cilin e ngarkonte me veprën penale, përvetësim në detyrë.

Sipas prokurorisë, Agushi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka përvetësuar pasurinë që i është besuar sipas detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon që në nëntor 2014, mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave nuk i ka dorëzuar në arkën e ndërmarrjes, por i ka përvetësuar për vete.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri kishte dorëzuar vetëm shumën prej 390 euro, ndërsa kishte përvetësuar shumën prej 12.399 euro, të cilat pas fillimit të procedurës disiplinore, i ka kthyer në institucionin ku ka punuar. /BetimipërDrejtësi