Burg me kusht dhe gjobë ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë se e kishte mashtruar të dëmtuarin

Gjykata
Author

Raporton: Egzon HALILI

Tetor 9, 2019

Prishtinë –  Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, të akuzuarin për mashtrim, Rexhep Sinani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, i akuzuari Sinani është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Gjykatësi Ajvazi, ka bërë të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Sinani kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 tetor 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Rexhep Sinanit për shkak të veprës penale “mashtrimi”, nga neni 335 par.1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, Rexhep Sinani akuzohet se më 29 gusht 2014, në Prishtinë, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, e ka mashtruar të dëmtuarin Imer Podvorica, duke i premtuar se do ta punësojë në aeroport, dhe me këtë e ka nxitur atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, pasi ky i fundit i kishte dhënë shumën e parave në vlerë prej 600 euro. /BetimipërDrejtësi