Burg efektiv dhe gjobë ndaj të akuzuarit që pranoi se kishte vjedhur një kuletë, caktohet paraburgimi ndaj tij

IMG_0878 (1)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Korrik 10, 2019

Prishtinë – Shtatë muaj burg efektiv, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit Gazmend Ganiu, i cili e ka pranuar fajësinë se më 8 korrik 2019, tek kurrizi në “Dardani”, kishte vjedhur një kuletë, në të cilën ndodheshin edhe 150 euro.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjykatësi Kushtrim Shyti, pasi që ai në këtë seancë shqyrtim fillestar, i akuzuari është deklaruar fajtor për veprën penale të vjedhjes.

Gjykatësi Shyti ka njoftuar se në dënimin me burgim të shqiptuar ndaj Ganiut, do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi me gjobë në lartësi prej 250 euro, të cilën ai obligohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndaj të akuzuarit Ganiu është caktuar edhe masa e paraburgimit, që sipas gjykatësit Shyti, do të llogaritet nga 8 korriku i këtij viti.

Gjykatësi Shyti tha se i akuzuari Ganiu ka mundësi që gjobën ta paguajë me tre këste mujore, dhe nëse ajo nuk paguhet në kohë, do të zëvendësohet në dënim me burgim, ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro.

Pala e dëmtuar, Andi Ejupi, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Në emër të paushallit gjyqësor, i akuzuari Ganiu është obliguar të paguajë shumën prej 30 euro dhe 30 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.

Në fund, gjykatësi Shyti ka njoftuar se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 dite nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Paraprakisht, në këtë shqyrtim fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Sylejmani, i akuzuari Ganiu tha se e ndien veten plotësisht fajtor për veprën që i ngarkohet atij.

“E vërtetë është.  Jam fajtor. Qysh e kam dhënë deklaratën edhe në polici”, tha i akuzuari Ganiu.

Një deklarim i tillë mori përkrahjen edhe të mbrojtësit të tij, avokati Betim Shala, i caktuar sipas detyrës zyrtare. Ai tha se ky pranim fajësie është i bazuar, pasi që siç tha ai, klienti i tij, është njoftuar paraprakisht lidhur me pasojat dhe benefitet e këtij pranimi.

“Konsideroj se pranimi i fajësisë është i bazuar, ashtu që duke u nisur edhe nga fakti se të pandehurit, unë si mbrojtës ia kam prezantuar si përparësitë ashtu edhe pasojat e pranimit të fajësisë në këtë fazë të procedurës, ashtu që nuk e kundërshtoj këtë pranim të fajësisë”. tha avokati Shala.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Sylejmani dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësi Kushtrim Shyti, me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Më pas, prokurorja Sylejmani i ka propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit, të caktohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e saj.

Sipas prokurores Sylejmani, caktimi i kësaj mase gjen mbështetje edhe në faktin se ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale, pastaj pesha e kësaj vepre, rreziku i ikjes dhe i përsëritjes së kësaj vepre penale, si dhe karakteristikat personale të të akuzuarit.

Por, caktimin e një mase të tillë e ka kundërshtuar avokati Shala, i cili ka kërkuar nga gjykata që të refuzohet propozimi i prokurorisë, dhe që të mbrojturit të tij të mos i caktohet paraburgimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Ganiu për shkak të veprës penale “Vjedhje”, nga neni 313 par.1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 8 korrik 2019, rreth orës 14:00, afër tunelit tek kurrizi në “Dardani”, i akuzuari Gazmend Ganiu, me dashje, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, kishte hapur derën e automjetit të markës “Golf V”,  e cila ishte e parkuar dhe jo e mbyllur me çelës dhe nga aty ka marrë kuletën, ku kishte pasur 150 euro para të gatshme dhe dokumentet personale, pronë e të dëmtuarit Egzon Orana.

Prokuroria pretendon se kur drejtuesi i automjetit Andi Ejupi, kishte dëgjuar se u hap automjeti, atëherë e ka vërejtur të pandehurin që po largohej nga automjeti i tij, me diçka në dorë si dhe duke e ditur se nuk e kishte mbyllur, i vihet në ndjekje dhe e zë diku pas 100 metrave, e më pas e njofton policinë e cila ishte shumë afër. /BetimipërDrejtësi