Burg e gjobë për katër të akuzuarit që pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje

unnamed (4)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 20, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, i ka dënuar me burg dhe me gjobë të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini dhe Sami Kelmendi, pasi që ata e kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Rama-Shabani, i akuzuari Bajrush Ademi është dënuar me dy vjet e katër muaj burgim, në të cilën do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 24 korrik 2019, deri më sot.

Ferat Ukaj është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, të cilit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 24 korriku 2019, deri më sot.

Ndërsa, të akuzuarit Skender Nuredini dhe Sami Kelmendi janë dënuar me gjobë, ku për Nuredinin janë shqiptuar 3000 euro gjobë, ndërsa për të akuzuarin Kelmendi 2500 euro gjobë, të cilat janë të obliguar t’i paguajnë 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, këtyre katër të akuzuarve u janë konfiskuar disa lloje të armëve, së bashku me karikatorët dhe fishekët e poseduar.

Ndërsa, të akuzuarit Ukaj i është kthyer një revole e tipit “XDM” dhe një pushkë gjuetie, si dhe të akuzuarit Kelmendi një revole e markës “SD”, me dy karikatorë, me arsyetimin se të njëjtit kanë poseduar leje për këto armë.

Gjykatësja Rama-Shabani, ka deklaruar se me rastin e matjes së dënimit ndaj të akuzuarve ka pasur parasysh pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese për të akuzuarit Ademi dhe Nuredini, ajo ka thënë se ka konsideruar sasinë e armëve dhe se kanë qenë të dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, ndërsa për të akuzuarit Ukaj dhe Kelmendi, faktin se është hera e parë që kanë rënë në kundërshtim me ligjin dhe sasia  e vogël  e armëve që u është gjetur.

Të akuzuarit janë obliguar që, secili veç e veç, të paguajnë shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Sipas gjykatëses Rama-Shabani të akuzuarve Ademi dhe Nuredini u është ndërprerë masa e paraburgimit dhe janë lënë në liri, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë.

Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese brenda afatit prej 15 ditësh pas marrjes së këtij aktgjykimi.

Në këtë rast, për pjesëmarrje dhe organizimi në grup kriminal, lidhur me veprën penale importimi dhe shitja e armëve, janë të akuzuar edhe Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina, të cilin nuk e kishin pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar.

Gjithashtu, në këtë rast për armëmbajtje pa leje të akuzuar janë edhe Kadri Pantina, Arben Hoxha, Kreshnik Dermaku dhe Besim Javori, të cilët e kanë mohuar fajësinë, si dhe Edon Bytyqi, për të cilin gjykatësja Albina Rama Shabani, e ka veçuar procedurën, pasi që kishte pranuar njoftimin nga ana e Stacionit Policor në Suharekë, se ai gjendet jashtë vendit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 17 janar, prokurori special ka njoftuar se i është drejtuar gjykatës me dy parashtresa të ndryshme, përmes të cilave ka thënë të ketë bërë përmirësimin e një gabimi teknik të përfshirë në këtë aktakuzë.

Rrjedhimisht, sipas këtyre parashtresave është ndryshuar cilësimi juridik ndaj të akuzuarve Skënder Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku, Sami Kelmendi dhe Besim Javori, ashtu që ata akuzohen për armëmbajtja pa leje, por në vend të paragrafit 2, duhet të jetë paragrafi 1.

Ndërsa, për dy të akuzuarit e tjerë, Gazmend dhe Petrit Fazliu, prokurori Bajrami ka njoftuar se ata tashmë akuzohen vetëm për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, nga neni 364 par.2, e jo edhe për atë të krimit të organizuar, siç ishte para këtij ndryshimi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 10 dhjetor 2019, ndaj 20 të akuzuarve për disa vepra penale.

Sipas aktakuzës Albert Fazliu, Advan Sopa, Përparim Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina, gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri më 24 korrik 2019, në Prishtinë dhe vende të tjera, duke vepruar si grup i organizuar kriminal si bashkim i strukturuar me dashje dhe qellim që të kryejnë veprën penale kanë vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët, duke importuar armë dhe municion.

I pandehuri Kimran Ibishev thuhet se nga Republika e Maqedonisë Veriore kishte siguruar furnizimin me arme dhe municion për të pandehurin Albert Fazliu dhe Milaim Shabani përmes ndërmjetësuesit Advan Sopa i cili kishte transportuar armët me veturën e tipit “Golf 5”, ku më pas të akuzuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin këto armë i kishin dërguar në punëtorinë e tyre në Prishtinë dhe kishin bërë modifikimin e armëve nga armë me gaz në armë të llojit tjetër, ku më pas i kishin shitur te persona të ndryshëm, derisa nga masat e fshehta ishin gjetur armët nga ana e policisë.

Në bazë të kësaj aktakuzë, thuhet se më pas policia gjatë kontrollit që kishte bërë në shtëpitë e të pandehurve Fazliu në lagjen “Kodra e Trimave”, kishte gjetur dhe konfiskuar 10 pistoleta të armëve me gaz, vegla pune, pastrues të armeve ndërsa të groposura nën oborrin e shtëpisë së të pandehurit Albert Fazliu kishin gjetur edhe 25 pistoleta, armë me gaz.

Ndërsa, Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku , Besim Javori dhe Sami Kelmendi akuzohen për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që në shtëpitë e tyre secilit veç e veç, u ishin gjetur armë dhe fishekë të ndryshëm pa leje nga ana e Policisë së Kosovës. /Betimipërdrejtësi