Burg dhe gjobë ndaj të akuzuarit që pranoi se tentoi ta grabiste “Capital Ria” dhe se e sulmoi të dëmtuarën

Foto Faik kadrija
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 12, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për tentim grabitje dhe lëndim të lehtë trupor, Faik Kadrija.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Nikollë Komani, i akuzuari Kadrija për tentim grabitje është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me katër muaj burgim.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej një vit e tetë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Gjykatësi Komani i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e shqyrtimit të dytë gjyqësor të mbajtur më 7 shkurt të këtij viti, i akuzuari Kadrija e kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Faik Kadrija, po akuzohet se më 26 nëntor 2019, rreth orës 9:20, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, pikërisht në pikën e transferit të parave “Capital Ria”, me përdorim të forcës tenton t’ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarës, Blerina Meka.

Siç përshkruhet në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në ditën kritike, derisa e dëmtuara ishte në vendin e punës, hynë i pandehuri, i cili fillimisht duke e kërcënuar i kërkon para, e pasi që ajo refuzon t’ia jep, ai më pas e sulmon duke e goditur me një mjet plastik, dhe në tentativë për të shkuar tek arka për të hapur arkën ku ishin paratë, e dëmtuara ngritët në këmbë për ta penguar dhe nga frika ka bërtitur me zë të lartë, i pandehuri më pas e sulmon duke e goditur me bërryl dhe meqenëse në afërsi të lokalit në autoshkollën “Kader” kanë qenë prezent zyrtari policor Sahit Turkaj dhe pronari i autoshkollës Sabri Arifaj, të cilët pasi e kanë dëgjuar të dëmtuarën kanë reaguar, e i cili më pas është arrestuar.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “grabitje në tentativë”, nga neni 317, paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ditën kritike të përshkruar si në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, e sulmon të dëmtuarën, duke e goditur me bërryl në gjoks dhe pjesë tjera të trupit, lëndime këto të konstatuara nga ekspertiza mjekoligjore.

I akuzuari Kadrija, ngarkohet edhe me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1 të  KPRK-së. /Betimipërdrejtësi