Bordi merr vendim për shpalljen e konkursit të ri për drejtor të përgjithshëm të RTK-së
Raporton: “Betimi për Drejtësi”
Prishtinë- Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në mbledhjen e mbajtur më 17 maj, ka marrë vendim të shpall konkurs të ri për drejtor të përgjithshëm të RTK-së.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga ky Bord, ku thuhet se i njëjti ka autorizuar administratën e RTK-së që ta shpallë konkursin më 23 maj 2022, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, në këtë mbledhje, Bordi paraprakisht aprovoi rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së.
Në komunikatë thuhet se rregullorja përmban gjithsej 26 nene duke rregulluar dhe përcaktuar procedurat, kriteret, kushtet e veçanta, procedurat e vlerësimit dhe ato të intervistimit të anëtarëve të menaxhmentit të lartë nisur nga drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik.
“Si i tillë, ky dokument është hartuar nga një grup punues brenda RTK-së i krijuar për këtë qëllim dhe është shqyrtuar në disa takime nga Bordi i RTK-së. Gjithashtu, rregullorja iu është dërguar për komente shtesë palëve të interesit si sindikatave të RTK-së dhe organizatave të shoqërisë civile të cilat e monitorojnë punën e bordit. Gjatë procedurës së shqyrtimit të rregullores, Bordi i RTK-së ka pranuar komente nga Lëvizja FOL dhe nga Zyra e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, të cilat i ka shqyrtuar dhe disa nga komentet i ka përfshirë në rregullore në prani edhe të organizatave monitoruese”, thuhet në komunikatë.
Vendimi për shpalljen e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, u mor pas miratimit të Rregullores për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së. /BetimipërDrejtësi