Bojkoti i avokatëve shtynë gjykimin për korrupsion edhe ndaj zyrtarit të ARH-së

20190110_132428
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Janar 10, 2019

Prishtinë – Një vendim i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për bojkotimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë nga ana e avokatëve të licencuar, që ka hyrë në fuqi të mërkurën, po ndikon që në të gjitha gjykatat e Kosovës të dështojnë një numër i madh i seancave gjyqësore.

Për këtë arsye, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk ka arritur të mbahet seanca ndaj Avdylkadër Muçaj, i cili po akuzohet se si drejtor i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, deklaroi para prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) Sylë Hoxha dhe të akuzuarit Muçaj, se pasi i akuzuari gjatë gjithë gjykimit ka pasur të angazhuar mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Gashi dhe se në këtë seancë për shkak të bojkotit të avokatëve ai nuk është prezent, seanca sipas saj, duhet të shtyhet.

Përpos mungesës së avokatit Gashi, në shqyrtimin e së enjtes, për të njëjtën arsye mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, “Railtrans”, avokati Kujtim Kërveshi.

Siç tha gjykatësja Gërguri, në këtë seancë ishte thirrur edhe dëshmitari Enis Berisha, por i njëjti sipas vëllait të tij gjendet jashtë shtetit.

Pasi kjo seancë nuk ka arritur të mbahet, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të caktohet më 20 shkurt 2019, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në tetor të vitit 2015, pretendohet se Muçaj, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të ARH-së, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin.

Ky vendim i 31 marsit 2014,  ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.

Tutje sipas prokurorisë, ky veprim i kundërligjshëm i Muçajt, i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans”, me vlerë prej 1.2 milion euro.

Ndryshe, deri te bojkoti i avokatëve ka ardhur pas pakënaqësisë së tyre ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për kufizimin e qasjes së avokatëve në objektin e gjykatave, duke përjashtuar rastet kur ata kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse.

Ky bojkotim ka bërë që vetëm të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë të dështojnë 30 seanca gjyqësore, ndërsa në të gjitha gjykatat në Kosovë, në bazë të monitorimit të IKD-së, kanë dështuar të mbahen 161 seanca, shumica nga to të rasteve penale.