Bojkoti i avokatëve shtyn gjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës ndaj deputetit Fisnik Ismaili

fisnik
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Janar 10, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj deputetit Fisnik Ismaili, i akuzuar për veprat penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli për “Betimi për Drejtësi”, ka konfirmuar se ai kishte kontaktuar me mbrojtësin e të akuzuarit Ismaili, avokatin Betim Shala, i cili i kishte komunikuar se ai do ta respektonte vendimin për bojkot të nxjerrë nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe si pasojë nuk do të merrte pjesë në gjykimin e së enjtes.

Ndryshe, seanca e fundit gjyqësore e cila ishte zhvilluar ndaj Ismailit, ishte më 13 dhjetor të vitit 2017, me ç’rast mbrojtja e të akuzuarit kishte prezantuar kundërshtimet lidhur me provat dhe kërkesat për hudhjen e kësaj aktakuze, por më pas aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar në janar të vitit 2018, e gjithashtu po në atë muaj edhe Gjykata e Apelit, e kishte konfirmuar atë.

Kurse, seanca e 3 dhjetorit 2018, e cila kishte dështuar të mbahej për shkak se kishte munguar përfaqësuesi nga Ministria e Drejtësisë, e cila në këso rastesh përfaqëson institucionet që janë palë të dëmtuara. Gjykatësi Vesel Ismajli, kishte deklaruar se arsyeja se pse kishte kaluar një kohë kaq gjatë pa mbajtur ndonjë seancë gjyqësore ndaj deputetit Ismaili, kishte qenë mundësia ligjore që vepra për të cilën po akuzohej Ismajli, të përfshihej në Ligjin për Amnistinë, i cili parashihte amnisti për veprat penale të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, për periudhën prej 25 gusht 2016 deri më 10 maj 2017.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua të mbahet më 23 janar 2019, duke filluar nga ora 11:00.

Fisnik Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, tek i pandehuri ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ismaili, gjithashtu akuzohet se më 17 nëntor 2015, në dalje të Kuvendit të Kosovës, i kishte penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, në momentin kur policët kishin tentuar që ta ndalin dhe ta shoqërojnë në polici deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i akuzuari Ismaili afrohet me deputetet e tjerë në mes dhe pamundëson shoqërimin e tij në polici.

Ndërkohë, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat edhe të mbrojtësve të deputetëve Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte konfirmuar aktakuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi si dhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, akuzohen për veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në bazë të këtij aktvendimi, Gjykata e Apelit i ka vlerësuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes e cila kishte kërkuar që aktakuza e prokurorisë të hudhet poshtë si e pabazuar.

Sipas Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë arsyetime të mjaftueshme e të cilat kanë mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprat e njëjta penale, më 3 janar 2018,  ka shpallur fajtorë deputetet Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët i kishte dënuar me burgim me kusht.

Për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës, akuzohen edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, si dhe deputetët Shqipe Pantina, Time Kadrijaj, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, dhe Teuta Haxhiu.

Këto veprime ata i kanë bërë gjatë vitit 2015, me rastin e kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi si dhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Të akuzuarit ishin pjesë e bllokut opozitar Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, derisa ekzekutivi udhëhiqej nga PDK-ja dhe LDK-ja.